Efthimios Efthimiu, vrasësi i dyshuar i Devi Kasmit, doli të hënën para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. 41-vjeçari grek u shafq i habitur me arrestimin dhe akuzat e ngritura, duke i mohuar ato. Ai ofroi 10 mijë euro garanci pasurore, por që nuk u morën parasysh nga gjyqtarja Ardiana Bera e cila e la në qeli deri në përfundim të hetimeve.

Të njëtit version i qëndruan edhe tre të arrestuarit e tjerë, Elton Halipaj, Elton Hoxhallari dhe Malvin Dinellari.  Ata pranuan se njihen me njëri-tjetrin dhe shoqëroheshin bashkë, duke thënë se nuk kishin lidhje me vrasjen e Devi Kasmit. Pavarësisht këtyre pretendimeve, për ta u ckatua masa e sigurise arrest me burg.

Prokuroria kërkoi që seanca ndaj të arrestuave të zhvillohej me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor. Prokurori i çështjes paraqiti në sallë prova që sipas tij faktojnë se vrasja e Devi Kasmit u organizua në bashkëpunim me Aurel Hoxhallarin, për të cilin u dha arrest me burg në mungesë. Filmimet e kamerave të sigurisë tregojnë se 41-vjeçari grek ka qenë në vendin e krimit.

Ai më pas është marrë nga një furgon në drejtimin e të cilit ishte Elton Halipaj. Ndërsa Elton Hoxhallari dhe Malvin Dinellari kanë krijuar kushtet për të kryer atentatin. Në burg vijon të mbahet edhe Mario Meshini, i cili u arrestua një ditë pas vrasjes, pasi u identifikua nga kamerat e sigurisë duke u larguar me motor nga vendngjarja.

Tv Klan