Vrasja e Memli Begallës, dosja kthehet për rigjykim


Vrasja e Memli Begallës, dosja kthehet për rigjykim

13:12 03/08/2021

Gjykata e Apelit prishi vendimin e shkallës së parë, pasi konstatoi disa parregullsi procedurale 

Procesi gjyqësor për vrasjen e biznesmenit Memli Begalla do të nisë nga e para për të dyshuarit Denis Demiri dhe Ardian Serezi. Gjykata e Apelit në kryeqytet ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë pasi ka konstatuar probleme procedurale. Begalla u ekzekutua më 14 shkurt të 2018 në zonëN  e ish-bllokut.

Denis Demiri ishte dënuar nga gjykata penale me 25 vite burg për vrasje me paramendim, ndërsa dosja për Ardian Serezin, ishte kthyer në prokurori me argumentin se nuk kishte prova që ta implikonin në krimi. Shkalla e parë theksonte në vendim se nëse në të ardhmen prokuroria do të siguronte prova për Serezin mund edhe t’i drejtohej gjykatës për ta marrë të pandehur. Pas shpalljes së vendimit në shkallë të parë të pandehurit ju drejtuan gjykatës së Apelit.

Denis Demiri kërkoi që të vërtetonte pafajsinë e tij, edhe pse prokuroria ndaj tij ka pamje filmike dhe një kampion AND-je që përputhet me profilin gjenetik që u gjet në automjetin e përdorur nga autorët në ngjarje. Nga ana tjetër Ardian Serezi kërkonte pushimin përfundimtar të çështjes duke u mbrojtur me argumentin se nuk kishte asnjë kusht apo kriter që dosja të rikthehej në prokurori.

Serezi në atë kohë ka mohuar që të ishte i përfshirë në krim dhe se ka dorëzuar në gjykatë edhe një video duke pretenduar se në kohën kur ka ndodhur ngjarja ai ka qenë në një vend tjetër dhe se ishte në pamundësi fizike që të ishte në të njëjtën kohë në dy vende të ndryshme. Pasi gjykata e Apelit mori në dorë dosjen konstatoi se në rastin e të pandehurit Denis Demiri shkalla e parë ka shkelur ligjin pasi ka gabuar në mënyrën se si janë njoftuar avokatët, ose janë prezantuar avokatët kryesisht.

Apeli urdhëron Shkallën e Parë të rigjykojë çështjen në muajin Shtator, me një tjetër trupë gjykuese të paanshme dhe profesionale. Denis Demiri do të përballet sërish me provat e prokurorisë dhe duhet që të paraqesë argumentet e tij. Ndërsa Avokati i Serezit, Saimir Visha bëri me dije se do i drejtohet Gjykatës së Lartë më rekurs dhe pas vendimit të saj do vendoset për fatin e kësaj dosjeje.

Klan News







Të ngjashme