Ndërmjetës, i kishte hyrë fajdeve dhe kishte ndikim tek drejtori i Policisë së Shkodrës. Kështu u shpreh këtë të hënë gazetari Flamur Vezaj në lidhje me Bardhok Planajn, i cili u ekzekutua mbrëmjen e së dielës në Shkodër.

Vezaj u shpreh se Planaj shpeshherë ka bërë rolin e ndërmjetësit për të sheshuar konfliktet. Sipas gazetarit, kjo është një nga pistat që po hetohet për vrasjen e Planajt, pasi sipas tij, “nëse je ndërmjetës në çështje të caktuara dhe ajo marrëveshje nuk zbatohet, pastaj personat kanë punë edhe me ndërmjetësin”.

Sipas burimeve të Vezajt, kohët e fundit Bardhok Planaj është përfshirë edhe në fajde. Ai theksoi më tej, se viktima e atentatit të Shkodrës, ka qenë i angazhuar politikisht me PS-në në këtë fushatë, duke shtuar se ndoshta kjo ka ndodhur për shkak të njohjeve personale.

Lidhjet me politikën, sipas gazetarit e kanë bërë të lëvizte lirshëm nëpër Shkodër. Por Vezaj tregoi gjatë emisionit “Opinion” se Pllanaj ka pasur ndikim edhe tek Drejtori i Policisë së Shkodrës e deri tek emërimet e zyrtarëve.

“Ashtu siç tha dhe Tani, Planaj hynte në rastet për të sheshuar konfliktet mes palët. Bënte rolin e ndërmjetësit. Por të kesh parasysh Blendi që nëse je ndërmjetës në çështje të caktuar dhe ajo marrëveshje nuk zbatohet, pastaj personat kanë punë edhe me ndërmjetësin. Prandaj mendoj se janë shumë pista të hapura në rastin e Planaj. Duke kontaktuar kohët e fundit me njerëz nga Shqipëria më thonë që është përfshirë edhe në fajde. Duke dhënë fajde. Është angazhuar politikisht me Partinë Socialiste, siç tha dhe Tani, ndoshta edhe për njohje personale, por dihet në zonat e kohës së fushatës se si agravohet situata. Kështu që të gjithë këta mendojnë se është fenomen i personazheve të tillë, që unë nuk mund ta quaj qelibar për shkak se ka qenë i dënuar në Belgjikë, plus i dyshuar për trafik droge dhe shumë vepra të tjera. Ky fenomen i lidhjes së politikës me personazhe të tilla i ka dhënë sigurinë që edhe ky të ecë lirshëm nëpër Shkodër. Të gjithë e dinë nëpër Shkodër se sa ndikim kishte ky tek drejtori i Policisë Shkodër apo tek emërimet e zyrtarëve qoftë në prokurori apo qoftë në polici. Ndoshta edhe ky fakt i ka dhënë një garanci”, tha Vezaj.

Për Flamur Vezajn, kjo vrasje nuk është e rastësishme. Madje sipas tij mund të kemi të bëjmë edhe me një hakmarrje të thellë. Ai paralajmëroi se në ditët në vijim do të ketë të tjera ngjarje të rënda kriminale në Shkodër.  

“Duke u nisur nga egërsia e vrasjes nuk mendoj se është vrasje banale apo e rastësishme. Është një shfryrje radikale e cila në raste të tilla është një shfryrje, një hakmarrje e fortë. Kohët e fundit në Shkodër janë larguar  disa familje jashtë Shqipërisë duke shitur pronat për shkak të konflikteve që kanë në Shkodër. Fatkeqësisht edhe unë jam me Emin me idenë që në ditët në vijim do të kemi ngjarje të tjera në Shkodër”, u shpreh Vezaj.

Në vitin 2014, Bardhok Planaj ishte një nga personat e kërkuar për operacionin antidrogë të Luginës së Vilunit. Hetimet për këtë grup kriminal u shoqëruan me jo pak bujë, pas zbulimit të një dokumenti të policisë që shkruante se Bardhok Planaj, një prej të akuzuarve kryesor dyshohet se i shpëtoi arrestimit, pasi udhëtonte në makinë me ish-deputetin Mark Frroku. Sipas Vezajt, Planaj dhe Frroku duhet të ishin arrestuar asokohe, pasi ishin në kushtet e flagrancës.

“Mund të nisem kur ka qenë i arrestuar për dosjen e Vilunit. Ç’është e vërteta u shpall në kërkim në atë kohë, por mendoj që ndryshe nga Tani që në rastin e deputetit Frroku ai duhej të ishte arrestuar në atë moment, qoftë deputeti Frroku apo Planaj në atë moment sepse është në kushtet e flagrancës. Ligji thotë pavarësisht se ke imunitet në rastin e flagrancës nuk mund të tolerohesh, mund të arrestohesh në moment. Pse nuk u arrestua? Nuk mori urdhrin e duhur prokurori i çështjes në atë kohë. Të gjithë ishin të trembur për shkak të lidhjeve që kishte qoftë zoti Frroku apo Planaj në atë kohë me pushtetin”, tha Vezaj./tvklan.al