Policia ka dalë me informacione zyrtar pas ngjarjes së rëndë që tronditi Elbasanin këtë të mërkurë. Pjerin Xhuvani ka mbetur i vdekur pas një konflikti me armë që ka ndodhur rreth orës 14:00 në lagjen ‘5 Maji’ të këtij qyteti. Si pasojë e të shtënave janë plagosur 3 persona të tjerë që janë Emiljan Prenga 39 vjeç, Pavlo Vuksani 50 vjeç, Eltjon Bodinaku 32 vjeç.

Por në përpjekje për të parandaluar këtë krim është plagosur edhe  punonjësja e Policisë  e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, Xhensila Sota, 27 vjeçe duke e çuar numrin e të plagosurve në 4 gjithsej.

Policia thotë se kanë vënë në pranga autorin e kësaj ngjarjeje të rëndë, i cili është Arbër Paplekaj. Po ashtu është bërë i mundur edhe shoqërimi i disa personave në drejtoritë e policive në Elbasan e Tiranë si  të  dyshuar se kanë dijeni apo lidhje me këtë ngjarje.

Policia shprehet se po vijon puna për  fiksimin dhe administrimin e çdo prove materiale që do t’i shërbejë zbardhjes dhe dokumentimit të ngjarjes. Po ashtu uniformat blu thonë se po punojnë për kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. /tvklan.al