“Të varet për krimin që ka bërë ”

Të afërm të Luis Saliaj, i cili së bashku me dy shokë të tij dhunoi dhe vrau nusen e xhaxhait, kërkojnë dënim maksimal. Në një intervistë për gazetarët, Ilir Saliaj tregon detaje nga vrasja  e kunatës.

“Në datën 5 më merr mamaja e Luisit në telefon dhe më thotë se diçka ka ndodhur. Jemi nisur drejt fshatit ku Luisi është nip. Nuk e mbajta dot veten dhe e kam dhunuar për të më treguar se çfarë ka ndodhur.

Ai më thotë se nuk ka marrë pjesë në vrasje, e kanë bërë të tjerë. Në moment nisemi drejt komisariatit të Policisë Mallakastër. Policia kur e kemi dorëzuar e mori dhe e kanë ngjitur në katin e tretë ku ishte shefi i komisariatit, fëmija i ka treguar të gjitha.

 Ka thënë se ka shkuar me një shok tjetër, kanë pirë kafe, më pas e kanë vrarë. Nipi është shprehur se nuk ka marrë pjesë në vrasje, dhe gjithashtu ka treguar se e kanë mbytur me peshqir. Më pas e ka marrë dikush tjetër nga fshati që e ka hedhur”.

Sipas të afërmve, 16-vjeçari Luis Saliaj njihej si një fëmijë problematik dhe përdorues i  lëndëve narkotike.

“Është djali i keq, i hedhur, përdorues hashashi. Një fëmijë mashtrues dhe nuk mund t’i besosh asnjë fjalë. Dua drejtësi edhe të varet. Familjes së viktimës u kam borxh kokën pavarësisht se këtë e ka bërë nipi, ata janë në të drejtën e tyre”.

Për vrasjen e Drita Saliajt janë arrestuar 3 persona, ndër të cilët edhe nipi i bashkëshortit të saj Luis Saliaj dhe 2 shokët e tij. Ata kanë tentuar të grabisin banesën kur dyshohet se janë pikasur nga viktima. Të rinjtë kanë pranuar krimin përpara hetuesve dhe kanë treguar se pas torturave e kanë hedhur trupin e viktimës në një rezervuar duke i shkaktuar asaj vdekjen.

 Ndërkohë edhe banesa e kunatit të Drita Saliajt është gjetur e plaçkitur. Ai është kthyer mëngjesin e së mërkurës nga Greqia për ceremoninë e varrimit, por ka parë se gjithçka ishte vjedhur.

Tv Klan