Autori qëlloi me thikë në zemër babain e dy fëmijëve

Një ditë nga vrasja e 33-vjeçarit Idajet Dulla, Policia e Durrësit vuri në pranga autorin e dyshuar  të ngjarjes, Arbër Kote.

26-vjeçari ka qëlluar me thikë në Idajet Dullën pas sherri për bllokimin e rrugës me makinë. Fillimisht ata kanë debatuar ashpër mes tyre. 33-vjeçari Idajet Dulla i ka kërkuar llogari për bllokimin e rrugës Arbër Kotes.

Në debat e sipër Arbër Kote ka marrë thikën dhe e ka qëlluar në zemër Idajet Dullën, babain e dy fëmijëve. Ky i fundit ndërroi jetë rrugës për në spital, ndërsa autori u arratis nga vendi i ngjarjes për t’u arrestuar një ditë më pas.

Konflikti dhe vrasja u pa nga disa dëshmitarë në zonë, të cilët sqaruan për policinë dinamikën duke ndihmuar edhe në identifikimin e autorit.

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen numër 13 në Durrës pranë një fasonerie. Kjo vrasje erdhi pas një tjetër ngjarje të rëndë në Durrës ku sërish nga konfliktet, u vra një 39-vjeçar dhe u plagos djali i tij.

Tv Klan