Një 49-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri në Tropojë këtë të shtunë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Çerem rreth orës 15:30. Viktima është identifikuar si Isat Goçaj. 49-vjeçari humbi jetën si pasojë e plagëve të shkaktuara nga plumbat.

Autori i dyshuar i ngjarjes, Altin Ismajlisufi është arrestuar nga Policia e Tropojës. Pasi kreu krimin, ai u arratis nga vendni i ngjarjes, por efektivët reaguan në kohë duke bërë të mundur identifikimin e tij dhe më pas prangosjen.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia i gjeti dhe sekuestroi një pistoletë, armën me të cilën vrau bashkëfshatarin. Ismajlisufi u dërgua në Komisariatin e Policisë Tropojë ku do të mbahet në paraburgim.

Viktima dhe autori i dyshuar janë banorë të të njëjtit fshat. Shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes janë të paqarta.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Tropojës, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e  plotë të  rrethanave të ngjarjes. /tvklan.al

Foto: Fshati Çerem, Tropojë