Presidenti serb Aleksandër Vuçiç shprehet hapur për korrigjim të kufijve me Kosovën, siç ka kërkuar homologu i tij kosovar Hashim Thaçi.

Pa komentuar idenë e bashkimit të luginës së Preshevës me Kosovën, Vuçiç e konsideroi demarkacionin si zgjidhje për paqe të qëndrueshme mes dy popujve.

Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë:

Unë jam në favor të demarkacionit me shqiptarët. Kjo është edhe politika ime për ripërcaktimin e kufijve me ta. Duhet ta kemi të qartë se kemi një territor, të cilit nuk dihet kujt i takon dhe si e trajton. Kjo përbën gjithmonë një potencial të mundshëm për konflikt.

Vuçiç theksoi megjithatë se ende nuk i është parashtruar asnjë çështje konkrete për diskutim. Duke e konsideruar si të vështirë zgjidhjen e kësaj çështjeje, Vuçiç bëri thirrje për një dialog gjithëpërfshirës që në fund të garantojë paqen dhe sigurinë mes shqiptarëve dhe serbëve.

Një ditë më parë presidenti kosovar Hashim Thaçi sqaroi se korrigjimi i kufijve synonte rishikimin e rreth 400 kilometrave vijë kufitare dhe përfshirjen në territorin e Kosovës,  të rajoneve shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. Ndërsa ish-kreu i komunës se Preshevës  Ragmi Mustafa kërkoi që Lugina t’i bashkëngjitet Kosovës edhe nëse do të duhet që këtij territori ti shkëputen komunat serbe të veriut.

Tv Klan