“Dakordësinë po e pengon çështja e kryeparlamentarit”

Lëvizja Vetëvendosje do të mbështesë mundësinë e zgjedhjeve të reja në Kosovë, nëse nuk arrihet një marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në, siç pohoi Nënkryetarja Albulena Haxhiu.

“Unë shpresoj që LDK do ta pranojë ofertën tonë, në mënyrë që t’i hapet rrugë krijimit të qeverisë së Republikës së Kosovës. Partner tjetër nuk do të kemi veç minoriteteve. Sa i përket koalicionit PAN, ne nuk do të kemi bashkëpunim me ta. Pra alternativa e dytë janë zgjedhjet e jashtëzakonshme…”

Duke folur për mediat kosovare, numri 2 i Vetëvendosjes sqaroi se një çështjeve kryesore që po pengon marrëveshjen është posti i kryeparlamentarit, për të cilin thotë se nuk ka kthim pas.

“Me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ky pozicion i takon partisë fituese, por ne u ofruam këtë mundësi që ta kemi nga radhët e LDK-së. Ata kërkuan edhe presidentin edhe kryetarin e parlamentit, por kur erdhëm në këtë diskutim nuk pati marrëveshje. Edhe në takimet që kemi pasur nuk i kanë kushtuar shumë rëndësi kryetarit të Kuvendit. Tash që u zgjodh qenka problem. Ndaj ne kemi thënë që kjo është e pakthyeshme”.

Vetëvendosja bëri publike pasditen e kësaj të marte ofertën për LDK-në ku i ofron propozimin e kandidatit për president, shtimin nga 12 në 14 ministri prej të cilave 6 do t’i ketë LDK-ja, një më shumë se Vetëvendosja. Haxhiu tha se janë në pritje të vendimit të partisë së Mustafës.

Tv Klan