Nata e katërt e spektaklit “Love Story” në Tv Klan u shoqërua me emocione të shumta, teksa nuk munguan surprizat, debatet dhe tensionet mes konkurrenteve.

Disa nga vajzat janë më të qeta dhe disa prej tyre preferojnë të flasin pak më shumë për të dhënë mendimet e tyre.

Xhesi është një nga vajzat e cilësuara si e urtë, teksa ka pasur edhe një takim të gjatë me Saimirin.

Në një intervistë ekskluzive për programin “Daily Love Story”, bukuroshja nga Shkodra ka folur pak më shumë për veten, raportin e saj me Saimirin dhe vajzat e tjera konkurrente.

Si ndihesh pas javës së katërt të këtij spektakli?

Na janë shtuar disa emocione të reja sepse ditët po ngushtohen. Vajzat kanë filluar të ikin një nga një, po vijnë dhe vajza të reja dhe na kanë nisur ato emocionet.

Si ishte momenti i trëndafilit për ty këtë javë, e prisje?

Deri diku e prisja, kisha edhe ato dyshimet që nuk i dihet kurrë, por ma bëri qejfin Saimiri sepse tha që ky trëndafil është për një vajzë që në çdo takim më surprizon dhe dua të shoh se çfarë surprize ka në takimin tjetër. Kështu që më ka premtuar një takim në mënyrë indirekte.

E pret një takim nga Saimiri? Mendon se do t’i njohë njëherë vajzat e tjera për t’u rikthyer tek ti?

Besoj se mund të dojë të njohë edhe të tjerat, por do na japë një mundësi edhe ne të tjerave.

Çfarë të ka pëlqyer më shumë te Saimiri gjatë këtyre takimeve?

Është i ndjeshëm, është në të njëjtën kohë shumë serioz, është natyrë shumë e vendosur dhe në këtë aspekt ngjajmë. E kam parë që nuk ndikohet kollaj as nga komentet, mendimet apo opinionet e të tjerëve. Krijon ato aspektativat e veta dhe u qëndron atyre deri në fund.

Mendon se ai bazohet shumë në sjelljen e vajzave pas spektaklit për zgjedhjet që ai bën?

Besoj se po. E marr shembullin nga vetja. Në spektakël nuk është se kam folur shumë, nuk është se kam marrë gjithmonë atë vëmendjen dhe ai mund të ketë parë edhe në prapaskenë, mund të ketë parë edhe intervistat që ka krijuar një opinion, më ka zgjedhur dhe vazhdoj të jem pjesë e emisionit.

Ke pasur ndonjë afrimitet me Saimirin edhe jashtë kamerave?

Nuk di të them nëse është bërë ndonjë veprim i madh apo ndonjë gjë konkrete. Saimiri deri tani është munduar të tregohet i kujdesshëm, dhe mirë bën sepse është akoma herët dhe duhet t’jua japë një mundësi të barabartë të gjitha vajzave. Gjithsesi, në takimin që kam pasur e kam ndjerë të afërt. Është çështje ndjesie më shumë se sa një gjë konkrete.

A është Saimiri djali ideal që ti ke pasur gjithmonë në mendje?

Sa më tepër e njoh aq më shumë i afrohet atij imazhit që kam pasur për një djalë që dua të kem afër. Ka atë pjesën e seriozitetit, është me këmbë në tokë, është i vendosur, është i pashëm.

Ti je shumë e lidhur me familjen. E ke menduar ndonjëherë që do ikësh në Gjermani po të zgjodhi Saimiri ty?

Të them të drejtën kur e mendoj akoma nuk kam një përgjigje as me veten por nuk i dihet. Unë e kam thënë që për dashurinë do isha e gatshme të sakrifikoja shumë gjëra. Si dihet, mund ta marr dhe mamin me babin. Ai është i lidhur me familjen kështu që do ma kuptonte këtë pjesë.

Pse zgjodhe këtë format për të gjetur dashurinë?

Më kanë pyetur dhe siç e kam thënë kam pasur histori përpara, por këtë rast e mora si një lloj opsioni për të përjetuar diçka shumë më ndryshe, shumë të bukr. Komplet ky format i ngjan një përralle në shumë element të tij. Pse mos të isha edhe unë pjesë e një gjëje kaq të veçantë. Ku i dihet qëllon këtu.

Profesioni yt është jurist, por e ke menduar ndonjëherë ekranin si punë tënden?

Të them të drejtën, kur erdha këtu ishte e papritur edhe për mua. Nuk e kisha menduar, është emisioni i parë që marr pjesë. Kam pasur vetëm disa gjëra të vogla për pasion kur isha më e vogël për modeling, por që do bëhesha pjesë e botës së televizionit nuk ma kishte marrë mendja.

Cilat janë komentet që ti ke marrë deri tani nga njerëzit?

Në përgjithësi kam marrë komente pozitive. Jam munduar që në fillim të mos dal nga natyra ime. Unë kjo natyrë jam edhe jashtë. Nuk jam kaq e qetë sepse askush nuk është gjithmonë vetëm i qetë. Por deri tani nuk kam pasur arsye të dal nga ky imzhi im. Në momentin që do jetë nevoja të shfaq edhe anë të tjera të karakterit, normalisht që do i nxjerr sepse mund të duket ndonjëherë sikur jam e shtirur. Unë nuk jam gjithmonë vetëm e qetë, vetëm e urtë.

I ndjek intervistat e vajzave të tjera në “Daily Love Story”? E ke ndjekur një fragment të Suelës, që tha se as emrin nuk ta di dhe duhet të ikësh?

Nuk e kisha parë të them të drejtën. Ma thanë të hënën dhe e pashë pastaj. Ne jemi natyra të ndryshme, në rast se do ishim të gjitha njësoj do ishim 18 introverte ose 18 ekstroverte që fillim.

Unë nuk mendoj se vëmendja tërhiqet duke u dehur në party ose nëse dikush do të tërheqë vëmendje në atë mënyrë është gjithmonë zgjedhja e saj. Ky format nuk ka formula konkrete, ketu jemi për ti pëlqyer një djali.

Në rast se dikush ka ardhur për të bërë gjëra të tjera në këtë format, për të tërhequr vëmendje në këtë format, vazhdon të mbetet rruga e saj. Në fund të ditës unë sfidën e kam vetëm me veten dhe me Saimirin. Vetëm atij dua t’i pëlqej. Nuk kam formula dhe nuk dua të tërheq vëmendje. Nuk besoj se e ka personale por ashtu mendon ajo./tvklan.al