Ambasadorja amerikane kërkon ngritjen e Gjykatës Kushtetuese

Ambasadorja Amerikane, Juri Kim tha se Prokuroria e Posaçme është nën presion nga disa persona, gjatë një prononcimi që pati në Shkodër, ku takoi Kryetaren e Bashkisë në detyrë, Voltana Ademi.

“Është një gjë e mirë dhe ka ardhur koha që SPAK të jetë plotësisht funksional. Disa po përpiqen t’i pengojnë në punën e tyre madje do të intimidojnë gjykatësit dhe prokurorët por ka ardhur koha që SPAK të qëndrojë i fortë para këtyre personave”.

Deklaratat e Yuri Kim vijnë pas disa hetimeve dhe arrestimeve që janë kryer nga SPAK, siç ishte së fundmi ai i gjyqtares së Apelit Korçë, Mimoza Margjeka, e akuzuar për korrupsion.

Gjithashtu Yuri Kim, i bëri thirrje edhe politikës që deri në fund të vitit të ngrihet Gjykata Kushtetuese.

“Shqipëria ka qenë pa një Gjykatë Kushtetuese për një kohë të gjatë. Nuk është një situatë e pranueshme që është një anëtarë i NATO-s dhe kërkon të futet në BE. Është një lajm shumë i mirë që palët politike si jashtë dhe brenda parlamentit do të bien dakord për t’u ulur sërish. Jam e sigurt që në fund do të mund të arrijnë një kompromis”.

Kim foli për situatën politike në vend duke deklaruar se do të jetë në mbështetje të palëve politike për t’u ulur në tryezën e Këshillit Politik.

Tv Klan