Janev: Erdhi me propozim konkret, do ta shqyrtojmë

Kryeministri i përkohshëm i Bullgarisë, Stefan Janev, ka theksuar se delegacioni nga RMV-ja ka arritur në Sofje me një propozim konkret, që do të shqyrtohet seriozisht ditëve në vijim.

Ai la të kuptohet se tema kryesore e bisedimeve ka qenë perspektiva evropiane e RMV-së dhe mundësitë për nisjen e bisedimeve për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare me BE-në.

“Delegacioni i Zaevit erdhi me propozim konkret, që do ta shqyrtojmë në mënyrë profesionale ditëve në vijim. Konstatuam se për momentin kemi një dritare të mundësive për të punuar për çështjet e pazgjidhura për realizimin e Traktatit të Miqësisë nga viti 2017. Tani prioritet është që të krijojmë atmosferë të besimit, miqësisë dhe dialogut, që do t’i ndihmojë ekspertët dhe politikanët të arrijnë një zgjidhje. Në kuadër të këtij dialogu, së pari duhet t’i zgjidhim problemet e ndërsjella, që të mos mbeten në familjen evropiane”

Kryeministri Zaev deklaroi se në takim është nxitur edhe diskutimi për propozimin portugez duke vlerësuar se zgjidhja mes Shkupit dhe Sofjes duhet kërkuar në nivelin dypalësh.

“Nga ana jonë padyshim se kemi komentuar edhe propozimin portugez. Besoj se kemi mundësi të arrijmë një zgjidhje. Një hap përpara është që jemi ulur bashkë dhe kërkojmë zgjidhje, që duhet të jetë dypalëshe dhe të jetë në frymën e interesave të dyja vendeve. Vetëm në këtë mënyrë mund të mbështetet nga qytetarët dhe të kemi një realizim të suksesshëm”.

Kryeministri Zoran Zaev, i shoqëruar nga Zv/Kryeministri për Çështje Evropiane, Nikola Dimitrov dhe Ministri i Jashtëm Bujar Osmani, gjenden për vizitë pune në Sofje me qëllim të intensifikimit të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për çështjet e hapura dhe zhbllokimin e procesit eurointegrues të RMV-së. Vizita ndodh një javë para takimit të Këshillit për Punë të Përgjithshme më 22 Qershor dhe para Samitit të BE-së më 24 dhe 25 Qershor. 

Tv Klan