Viktimat kishin patur debate gjatë ditës së mërkurë

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga përplasja me armë që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në Pejë ku mbetën të vrarë kandidati i PDK-së për kryetar komune në zgjedhjet e 17 Tetorit, Astrit Ademaj, dhe zyrtari tjetër i kësaj partie Blerand Kadriaj, si dhe u plagos një person i tretë.

Mediat në Kosovë, duke iu referuar burimeve nga vendi i ngjarjes, raportojnë se të dy viktimat kanë qenë brenda në një lokal dhe mes tyre ka patur një përplasje me armë.

Sipas të njëjtave burime mësohet se Blerand Kadriaj ka qëlluar i pari duke lënë të vrarë Astrit Ademajn. Më pas ka qenë vëllai i këtij të fundit, ai që ka qëlluar ndaj Blerand Kadriaj dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur edhe vetë i plagosur.

Mjekët e spitalit të Pejës bënë të ditur se të dy viktimat kanë shkuar pa shenja jete në spital, pasi kishin plagë në toraks, gjoks dhe pjesën e abdomenit.

Ndërkohë që vëllai i Astrit Ademajt ka marrë vetëm një plagë në dorë, ndërsa pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore i është komunikuar edhe urdhër-arresti si autor i dyshuar i vrasjes së Blerand Kadriajt.

Gjithashtu mediat në Kosovë raportojnë se dy viktimat para kësaj ngjarje janë përfshirë gjatë ditës së mërkurë në një konflikt verbal mes tyre. Këtë e ka konfirmuar edhe kreu i komunës së Pejës, Gazmend Munaxheri, i cili ka thënë se ata kanë pasur mosmarrëveshje të mëhershëm, të cilat nuk është mundur të zgjidhen pavarësisht ndërhyrjes së shokëve dhe miqve të përbashkët.

Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi në një konferencë për media nuk ka bërë të ditur motivet e këtij konflikti, ndërsa konfirmoi se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy armë dhe gëzhojat e përdorur në këtë përplasje.

Tv Klan