Detaje të reja dalin nga grabitja e 9 Prillit në pistën e Rinasit. Një nga të arrestuarit, Alkond Bengasi, ka rrëfyer në polici se kush e porositi për modifikimin e makinës me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”. Ai ka treguar përballë hetuesve se personat e përfshirë në grabitjen e 9 Prillit janë kushërinjtë e tij, Klement dhe Eldi Çala.

“Ata më kërkuan që të shkoja në Kavajë për të marrë një furgon. Fillimisht nuk pranova sepse kisha fëmijën sëmurë dhe nuk doja të largohesha nga Elbasani. Por më pas pranova dhe shkuam tek Shkëmbi i Kavajës. Në një restorant na prisnin 3 persona. Një prej tyre u prezantua si Admir Murataj, teksa ishte nën shoqërinë e 2 personave nga Kosova, një prej tyre e thërrisnin “daja”, ndërsa tjetrin Tani”.

Pas kësaj dëshmie, Policia Shqiptare ka kërkuar bashkëpunim me autoritetet kosovare për identifikimin e dy personave që janë përmendur nga Bengasi.

Ky i fundit u zbulua përmes gjurmëve të gishtërinjve që kishte lënë në pasqyrën e furgonit me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”. Falë dëshmisë së tij, policia mundi të bjerë në gjurmët e katër personave të tjerë që tashmë janë të arrestuar.

I fundit u prangos mbrëmjen e së hënës Elton Pikli, në kohën që po tentonte të largohej drejt Bullgarisë. Bengasi i ka treguar policisë se në grabitjen e Rinasit janë përfshirë 9 persona.

Tv Klan