Enver Jamaku: E pranova pasi doja të blija një shtëpi

Zbardhet dëshmia e Enver Jamakut, personi që i vendosi tritolin Gjon Menës, mëngjesin e 9 Shkurtit në Kamëz. Sipas tij ishte Gjergj Cukali që i kërkoi të vriste Gjon Menën me tritol, madje thotë se edhe e ka kërcënuar.

Sipas Jamakut, ai u njoh me Cukalin pas shitjes së një makine. Jamaku thotë ai e ka kontaktuar 3 muaj më parë dhe i ka thënë për të mbaruar një punë. Cukali më pas i ka siguruar se do të marrë 30 mijë euro nëse vendoste minën poshtë makinës së Gjon Menës dhe më pas do bënte shpërthimin e saj.

Enver Jamaku thotë në dëshminë e tij, se pranoi pasi donte të blinte një shtëpi dhe ishte pa punë. Madje sipas tij, ishte Cukali që e çoi te shtëpia e Gjon Menës dhe në disa raste edhe e ka kërcënuar për të mbaruar porosinë sa më shpejt.

Enver Jamaku e kreu shpërthimin bashkë me të vëllain Edmondin dhe thotë se Cukali u dha vetëm 2500 euro. Gjon Mena i shpëtoi shpërthimit, por mbeti i gjymtuar, ndërsa dy vëllezërit Jamaku dhe Gjergj Cukali ndodhen në burg.

Tv Klan