Hyri nga Kapshtica, por nuk u kontrollua nga policia

Kamioni me 2.6 ton kanabis që u kap në Mal të Zi, kaloi në gjithë territorin e Shqipërisë. Ky kamion me targa shqiptare që drejtohej nga Elvis Çalik, ishte nisur nga Greqia dhe në dokumente kishte të shënuar që po transportonte fruta-perime për në Gjermani.

Brenda fruta-perimeve, ishte fshehur edhe sasi praj 2.6 ton drogë. Por cila ishte rruga që bëri kamioni me kanabis në Shqipëri. Televizioni Klan ka zbuluar itinerarin, i cili fillon pasditen e datës 2 nëntor, kur kamioni futet në Shqipëri nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticës.

Një burim nga policia kufitare tha për Tv Klan se kamioni ishte i plumbosur dhe ata nuk kanë të drejtë ta hapin për kontroll, vetëm kur ka informacione për drogë. Ndërkohë më pas kamioni ka vijuar rrugën drejt Korçës, Pogradecit dhe Tiranës. Në një prej këtyre zonave, shoferi shqiptar Elvis Çalik, ka ndaluar për të pushuar, por ende nuk dihet saktë vendi.

Më pas kamioni vijon rrugën për në Laç e Shkodër, derisa mbërrin në pikën kufitare me Malin e Zi, Hani i Hotit. Edhe në këtë pikë kufitare policia shqiptare e lejon kamionin të kalojë, dhe vetëm i ka kontrolluar dokumentet. Por pak metra më tutje, homologët malazezë vendosin të hapin kamionin dhe aty zbulojnë sasinë prej 2.6 ton kanabis.

Në pranga është vendosur Elvis Çalik dhe policia malazeze thekson se pas tentativës për trafik droge qëndron një grup kriminal shqiptar. Nga ana e saj Policia Shqiptare thotë se në rastet kur kamionët kalojnë transit, nuk kalojnë as në skaner, as në kontroll të detajuar, pasi këtë veprim e bëjnë shtetet nga nisen kamionët dhe ato që janë destinacioni përfundimtar. Gjithsesi Policia thekson ka nisur hetimet.

Tv Klan