Nisin negociatat për pagesën e 200 mijë eurove

Moctar Cisse. Ky është futbollisti që ka ngatërruar Tiranën në një çështje që klubi thuajse nuk ka asnjë përgjegjësi në mënyrë direkte. Lojtari nga republika e Malit, ka shkëputur marrëdhëniet në mënyrë të njëanshme me klubin më të njohur maroken Wydad Casablanca.

Me pretendime të ndryshme si futbollisti dhe klubi kanë hedhur në gjyq njëri-tjetrin në komisionet juridike në FIFA. Palë e paditur nga marokenët ishte edhe Tirana që ka blerë lojtarin.

Tv Klan mëson se futbollisti ka nënshkruar me bardheblutë në mënyrë të parregullt, me gjasë duke falsifikuar dokumente. Ndërkohë në komisionet juridike të FIFA-s çështja ka vazhduar të gjykohet.

Klubi maroken Wydad Casablanca ka fituar çështjen, dhe palët humbëse Moktar Cisse dhe Tirana duhet të paguajnë faturën, diçka më shumë se 200 mijë euro.

Bardheblutë konsiderohen përgjegjës që kanë nënshkruar me lojtarin duke qenë ende nën kontratë me një tjetër skuadër. Kryeqytetasit kanë qenë të paralajmëruar për këtë që prej 15 Janarit të vitit 2020.

Me gjasë çështja është lënë pas dore. Moctar Cisse ka humbur gjurmët dhe nuk mund të identifikohet se ku ndodhet. Tiranës i duhet të dëmshpërblejë klubin maroken.

Mësohet gjithashtu se drejtuesit e klubit kanë nisur kontaktet me Wydad Casablanca për të bërë pagesën me këste, opsion i pranueshëm edhe për FIFA-n. Për momentin bardheblutë nuk mund të bëjnë asnjë afrim.

Marokenët duhet fillimisht të marrin të paktën këstin e parë që mbetet për t’u dakordësuar, të raportojnë marrëveshjen në FIFA, në mënyrë që kjo e fundit të çlirojë merkaton e bardhebluve.

Po punohet që lëvizjet të bëhen shpejt në mënyrë që federimet e lojtarëve të rinj të bëhen brenda dritares së merkatos së Janarit.

Tv Klan