Zbardhet takimi i Palmer me Ramën, Metën e Bashën: Udhëheqësit politikë, përgjegjës për zgjedhjet e 25 Prillit



Zbardhet takimi i Palmer me Ramën, Metën e Bashën: Udhëheqësit politikë, përgjegjës për zgjedhjet e 25 Prillit

20:16 06/04/2021

Zv/Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer ka zhvilluar një ‘vizitë virtuale’ këtë të martë në Shqipëri. Ai ka kryer biseda online me kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta dhe kryedemokratin, Lulzim Basha.

Ambasada amerikane ka zbardhur se çfarë është biseduar mes Palmer dhe drejtuesve politikë shqiptarë. Sipas Palmer institucionet dhe udhëheqësit politikë kanë përgjegjësi për t’u siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë sipas standardeve. Në reagimin e ambasadës thuhet se liderët politikë shqiptarë kanë rikonfirmuar përkushtimin e përbashkët për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh në fushën e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit. 

“Ata rikonfirmuan përkushtimin tonë të përbashkët për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh në fushën e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit. Me secilin prej udhëheqësve, Zv.Ndihmës Sekretari Palmer theksoi rëndësinë e roleve të tyre përkatëse, përfshirë edhe rolet institucionale të Presidencës dhe Kryeministrisë ashtu siç përcaktohen në Kushtetutë. Institucionet dhe udhëheqësit politikë mbartin përgjegjësinë për t’u siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme, me rregulla që janë të paanshme, transparente dhe në kohë”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar ka qenë edhe Reforma në Drejtësi. Palmer ka përforcuar mbështetjen e SHBA-së për këtë reformë.

“Zv.Ndihmës Sekretari Palmer gjithashtu përforcoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zbatimin e reformës në drejtësi, duke vërejtur përparimin domethënës që është bërë gjatë vitit të fundit. Gjatë një tryeze të rrumbullakët me përfaqësues nga institucionet e drejtësisë, shoqëria civile dhe media, ai i nxiti këta “Kampionë të Reformës në Drejtësi” në përpjekjet e tyre, në mënyrë që populli shqiptar të ketë drejtësi të vërtetë”.

Në fund, Zv. Ndihmës Sekretari Palmer theksoi rëndësinë strategjike të stërvitjes ushtarake Defender 21, e cila do të jetë stërvitja më e madhe ushtarake shumëpalëshe që zhvillohet në Ballkanin Perëndimor.

“Zv.Ndihmës Sekretari Palmer dhe zyrtarë të tjerë amerikanë presin me kënaqësi që të rifillojnë vizitat fizikisht sapo rrethanat t’i lejojnë ato”.

Kjo vizitë virtuale e Palmer vjen teksa Shqipëria dhe SHBA-ja festojnë 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Pjesë e takimeve ka qenë edhe ambasadorja Yuri Kim./tvklan.al







Të ngjashme