Zbulohen emrat e grupit të vrasësve me pagesë në Laç


Zbulohen emrat e grupit të vrasësve me pagesë në Laç

16:30 24/06/2020

Dëshmia e Lamajt zbardh rolin e secilit në vrasjen e dy biznesmenëve

Ilir Xhepaj, Elson Alija dhe Klaudio Perkola janë 3 personat që së bashku Eduart Lamajn morën pjesë në vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit, mbrëmjen e 30 Majit në Laç.

Janë që të gjithë nga qyteti i Laçit.

Personi që i qëlloi dy biznesmenët ishte 30-vjeçari Lamaj, i cili u arrestua nga policia brenda klinikës private Amavita, ku po mjekohej nga plagët e marra gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Ndaj tyre mësohet se ka qëlluar edhe 33-vjeçari Ilir Xhepaj.

Dy bashkëpunëtorët e tjerë, 31-vjeçari Elson Alija dhe 21-vjeçari Klaudio Perkola, qëndronin në ambientet e jashtme të hotelit në Laç, siç dallohet edhe në këtë video të siguruar nga Televizioni Klan.

Prokuroria e Lezhës thotë se bëhet fjalë për vrasës me pagesë dhe ka në dorë dy prova që zbuluan anëtarët e tjerë të grupit, që janë në arrati.

Burime nga policia saktësojnë se ‘koka’ e këtij grupi të rinjsh të rrezikshëm në Laç është Ilir Xhepaj.

Më 15 Maj të këtij viti, Ilir Xhepaj i bëri atentat shtetasit Zef Marku, në Laç. Ai gjithashtu është dënuar për grabitje në vitin 2012, si dhe për një tjetër plagosje në Fushë-Krujë.

Pasi realizuan vrasjen, 4 të rinjtë kanë ardhur në Tiranë. Kanë fshehur në zonën e “Don Boskos”makinën që përdorën në atentat, një Volkswagen dhe prej aty janë larguar me mjete të tjera.

Eduart Lamajn e çuan tek e motra dhe pasi gjendja e tij u përkeqësua, dy mjekë, Viktor Marku dhe Besim Lama morën përsipër ta operonin kundrejt 10 mijë eurove.

Grupi hetimor thotë se objektiv i këtij atentati ishte Bujar Lika. Policia po zhvillon një operacion të gjerë në zonën e Fushë-Krujës, Tiranës dhe Durrësit, në përpjekje për të kapur edhe 3 personat e tjerë të shpallur në kërkim.

Tv Klan




Të ngjashme