Lushnje | Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, bazuar në informacionet e marra në rrugë policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Fier dhe Forca e Posacme “Shqiponja” finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Passport”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: Gramos Hoxha, 53 vjeç dhe Xhoi Hoxha, 24 vjeç, (babë e bir), banues në Karbunarë, Lushnje.

Këta shtetas, në lagjen “Kongresi”, Lushnje, kishin marrë një banesë me qera, që shërbente si bazë për të strehuar klandestinë me qëllim trafikimin e tyre për në vendet e Bashkimit Europian duke i pajisur me pasaporta të dyshuara të falsifikuara.

Gjatë kontrollit të banesës, u gjetën dy shtetas të huaj si edhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 11 pasaporta, dokumenta të tjera të dyshuara të falsifikuara, 5600 euro, një sasi parash që përdoren në Bangladesh, 1 laptop, 6 aparate celularë dhe 1 automjet tip “Renault”.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale./tvklan.al