Të arrestuarit tregojnë emrat e bashkëpunëtorëve

Kjo është magazina në Lushnje, ku u ngarkuan 2.6 ton kanabis në një kamion që transportonte fruta perime. Forcat RENEA prej dy ditësh kanë rrethuar ambientet dhe brenda saj janë gjetur prova që konfirmojnë se lënda narkotike u vendos në këto ambiente brenda kamionit.

Në pranga në Shqipëri ka rënë Përparim Shurdhi, pronari i kësaj magazine dhe Arlind Tabaku. Ndërkohë në Mal të Zi u arrestua shoferi i kamionit, Elvis Çalik.

Kamioni ishte nisur nga Greqia me destinacion Gjermaninë, por ka bërë një ndalesë pranë rrethrrotullimit Plug-Savër, shumë pranë autostradës Lushnje-Durrës, ku ka marrë edhe sasinë rekord të kanabisit.

Droga ka qenë e paketuar dhe e vendosur brenda kësaj magazine, në pritje për t’u transportuar drejt Gjermanisë.

Ndërkohë grupi hetimor ka marrë në pyetje Përparim Shurdhin dhe Arlind Tabakun, të cilët sipas burimeve, kanë treguar edhe emrat e bashkëpunëtorëve. RENEA nga ana e saj po vijon operacionin në Lushnje.

3 ditë më parë policia malazeze, e ndaloi kamionin pasi kishte dyshime për drogë. Brenda u gjetën edhe pakot me kanabis. Kamioni u la të kalonte nga policët shqiptarë në Han të Hotit, prandaj ka nisur edhe një hetim për ta nga SHÇBA.

Tv Klan