I.Ismaili, rreth 60 vjeç dhe 21-vjeçar Gj.Muhaj ishin nisur për të punuar në arë, kur zetori me të cilin udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi në kanal. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:05, në Fushë Kuqe të Kurbinit. Të dy personat që ndodheshin në mjetin bujqësor humbën tragjikisht jetën në vendin e ngjarjes (Lexo më shumë). Zetori ra në një kanal me ujë, duke i zënë poshtë dhe sipas policisë, ata dyshohet se gjetën vdekjen si pasojë e mbytjes.

Të parët që mbërritën në vendin e ngjarjes ishin banorët e zonës. Njëri prej tyre, për Klan News tregon se djali i tij u fut në ujë për t’u ardhur në ndihmë, por fatkeqësisht ishte tepër vonë.

“Sapo morëm vesh që u dha alarmi se ka rënë një zetor dolëm. Djali im ka ardhur nga Belgjika për festa, u fut a ka viktima poshtë a s’ka. U fut deri në mes në llucë në ujë, preku këmbën e njërit që ishte poshtë gomave. Zetori ishte përmbysur dhe i kishte zënë poshtë.”

Sipas banorit, 60-vjeçari Ismaili merrej me bujqësi dhe ishte nga Fushë Kuqja, ndërsa 21-vjeçari ishte punëtor i tij dhe ishte nga Mirdita.

“Kishin dalë nga shtëpia dhe po shkonin te toka. Merrej me perime, djali ishte punëtor, hallexhi, që e merrte në punë ky. Ishte nga Mirdita”.

“Rreth orës 14:05, në Fushë Kuqe, dyshohet se për shkak të humbjes së kontrollit mbi drejtimin e tij, mjeti bujqësor zetor, me drejtues shtetasin I. I., rreth 60 vjeç, banues në Fushë Kuqe dhe pasagjer shtetasin Gj. M., rreth 21 vjeç, banues në Rrëshen, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal. Dyshohet se si pasojë e mbytjes kanë humbur jetën të dy shtetasit. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, njoftoi dhe policia e Kurbinit në një informacion paraprak për ngjarjen./tvklan.al