Zgjedhjet në SHBA | Kur do të kemi një rezultat?

Zgjedhjet në SHBA | Kur do të kemi një rezultat?

Autori: Redaksia Tvklan.al

10:10 06/11/2020

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u zhvilluan të martën, por të gjithë janë ende të pritje që një prej kandidatëve të arrijë numrin “magjik” të 270 votave të Kolegjit Elektoral. Deri më tani, Joe Biden është ai që vijon të ketë avantazhin me 264 vota, kundrejt 214 që ka Trump, ndërkohë që numërimi vijon.

Georgia, kur janë numëruar 99 përqind të votave, Biden kryeson me rreth 900 vota.

Biden kryeson me më shumë se 11 mijë vota në Nevada, ndërkohë që janë numëruar 89 përqind e votave.

Pennsylvania, Biden ka kaluar tashmë në avantazh kundrejt Trump me 5,587 vota, me 98 përqind të votave të numëruar. Analistët besojnë se votat e mbetura mund të jenë në avantazh të Biden. Dhe nëse Biden fiton këtë shtet, ai siguron votat e nevojshme për t’u bërë President.

Por Trump i është afruar shumë kandidatit demokrat në Arizona. Biden kryeson me vetëm 7 mijë vota në shtetit jugperëndimor.

Numërimi vijon ende në Alaska dhe North Carolina dhe Trump kryeson në të dy këto shtete. Por pa fitore në disa prej këtyre 4 shteteve ku diferenca është e ngushtë, Trump nuk ka shanse për t’u rizgjedhur President. Biden ka shumë mundësi për të siguruar fitoren.

Stafi i fushatës së Trump: Zgjedhjet nuk kanë përfunduar ende

Pas lajmit se Biden ka dalë në epërsi dhe pas parashikimeve se nëse ai merr Pennsylvania do të jetë fitues, stafi i fushatës së Trump ka dalë më një deklaratë ku thuhet se: “Këto zgjedhje nuk kanë mbaruar ende”.

Avokati i fushatës së Trump, Matt Morgan, është shprehur me fjalët se “projeksioni i rremë i Joe Biden si fitues bazohet në rezultatet e katër shteteve që janë larg nga numërimet përfundimtare.”

Morgan edhe pse nuk ka treguar asnjë provë, pretendon se fletëvotimet në Georgia janë “kontrolluar në mënyrë të papërshtatshme” dhe se në Pennsylvania, vëzhguesve të zgjedhjeve nuk u është dhënë “qasje e plotë” në numërim, pavarësisht nga urdhri i një gjykatësi që u kishte lejuar atyre akses të mëtejshëm.

Morgan gjithashtu kundërshton që Arizona-n do ta mbajë Biden, siç është thënë në media dhe pretendon se “mijëra” vota janë hedhur në mënyrë të parregullt në Nevada.

“Biden po mbështetet në këto shtete, por sapo zgjedhjet të jenë përfundimtare, Presidenti Trump do të rizgjidhet,” shtoi ai.

Deri tani, stafi nga fushata e Trump nuk ka ofruar asnjë provë që konfirmojë këto pretendime për mashtrim në zgjedhje.

Biden kryeson ndaj Trump edhe në Pensilvani

Joe Biden ka marrë drejtimin në shtetin e tij të lindjes në Pensilvani ndërsa numri i votave të panumëruara është zvogëluar.

Kjo e ka vendosur demokratin në një avantazh të mrekullueshëm nga Trump, duke iu ofruar shumë 270 votave elektorale që i duhen për të fituar Shtëpinë e Bardhë.

Momenti kur Biden kalon në epërsi në Pensilvani, është një moment simbolik për të pasi ishte Trump që kryesonte në ate vend deri tani.

Ky ishte një hap i madh jo vetëm për zgjedhjet, por edhe për gjithë karrierën e Biden që ka zgjatur gati 5 dekada.

Përse po humbet Trump në Georgia dhe Arizona

Korrespondentë amerikanë dhe media të tjera sociale po nxjerrin në pah se Donald Trump mund të jetë duke pësuar disfatë në shtete si Georgia e Arizona për shkak të kritikave që ka bërë më herët për dy heronj amerikanë.

Biden aktualisht udhëheq në të dy këto shtete, që kanë votuar për republikanët gjatë presidencialeve të fundit, ndonëse numërimi i votave nuk ka përfunduar ende.

Trump ka sulmuar në mënyrë të përsëritur senatorin e ndjerë të Arizona, John McCain, duke vënë në pikëpyetje nëse duhet të konsiderohet ose jo hero lufte, sepse kishte qenë i burgosur në Vietnam.

Vitin e shkuar, Trump tha se McCain “kishte dështuar në raport me veteranët” dhe e sulmoi për “një luftë në Lindjen e Mesme”, duke iu referuar mbështetjes së senatorit për luftën në Irak.

“Jo nga ata tipa që kam qejf“, tha presidenti. “Por disa njerëz e kanë qejf dhe me këtë nuk kam asgjë kundër”.

Ndërkohë, Trump po humb kryesimin edhe në Clayton County, Georgia, që është shtëpia e kongresmenit të ndjerë demokrat dhe ikonës së të drejtave civile, John  Lewis.

Në 2017-n, Lewis vuri në pikëpyetje legjitimitetin e Trump si president, duke theksuar nevojën e një hetimi për ndërhyrjen e mundshme ruse në zgjedhjet e 2016-s.

Trump u kundërpërgjigj duke thënë se Lewis kishte “vetëm llafe”.

“Kongresmeni John Lewis duhet të shpenzojë më shumë kohë duke rregulluar dhe ndihmuar zonën që përfaqëson, që është në situatë të tmerrshme (për të mos përmendur situatën me krimin) dhe jo të ankohet pa të drejtë për rezultatet e zgjedhjeve. Vetëm fjalë, fjalë, fjalë-asgjë konkrete apo rezultate. E trishtë”, shkruajti Trump në atë kohë në një postim në Twitter.

Gjermania reagon për zgjedhjet në SHBA: “Të papërgjegjshëm, ata që vazhdojnë t’i hedhin benzinë zjarrit”

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas ka reaguar në Twitter, në lidhje me zgjedhjet në SHBA. Me një shkrim të shkurtër, Maas është shprehur me fjalët se “Humbësit e denjë janë më të rëndësishëm për funksionimin e një demokracie sesa fituesit e shkëlqyeshëm”.

Kujtojmë se gjatë kohës që ishte në detyrë Donald Trump ka pasur një marrëdhënie të tensionuar me kancelaren gjermane Angela Merkel. Ai ka bërë presione mbi Gjermaninë për të kontribuar më shumë në shpenzimet e mbrojtjes së NATO-s, si dhe për çdo temë tjetër të mundshme, duke filluar nga ndryshimi i i klimës, te diplomacia dhe koronavirusi.

Kurse tani është ministri i jashtëm i Gjermanisë i cili gjeti momentin për të dhënë mendimin e tij rreth zgjedhjeve në SHBA.

SHBA është më shumë se një shfaqje me një njeri”, tha ai, duke shtuar se “ata që vazhdojnë t’i hedhin benzinë zjarrit në situatën aktuale, po veprojnë në mënyrë të papërgjegjshme”.

Biden thërret për qetësi, Trump vazhdon me akuza

Presidenti i SHBA Donald Trump ka dyfishuar pretendimet e pabaza për mashtrim në zgjedhje, kurse demokrati Biden vazhdon të bëjë thirrje për qetësi.

Numërimi i votave është akoma në proces në disa shtete kryesore, ndërsa deri tani Joe Biden ka epërsi në Nevada Arizona e Georgia dhe duke ulur avantazhin e Trump në Pennsylvania.

Në total Biden ka 264 vota të kolegjit elektoral, ndërsa Trump vazhdon me 214. Për të fituar Shtëpinë e Bardhë, një kandidat ka nevojë për 270 vota.

Një proces zgjedhor si ky, me një garë kaq të ngushtë mes dy kandidatëve, është historik për SHBA.

Biden kryeson në Georgia

Kur janë numëruar 99 përqind të votave, kandidati demokrat Joe Biden kryseson në Georgia me rreth 900 vota.

Gara në këtë shtet, me 16 vota elektorale është tepër e rëndëisshme, pasi jo vetëm që do ta bënte më të lehtë rrugën drejt fitores për Biden, por do t’ia bënte thuajse të pamundur Trump fitoren.

Rezultati ishte ‘kokë më kokë’ më herë, ku Trump kryesonte me 600 vota, por duket se edhe në këtë shtet Biden ka fituar terren.

Fitorja e Trump duket edhe më e vështirë në këto momente. Edhe nëse ai do të fitonte të gjitha shtetet e mbetura, që siç janë gjërat momentalisht ka pak gjasa të ndodhë, ai do të merrte vetëm 269 vota elektorale, duke i vënë kandidatët përballë njëri-tjetrit me një barazim të paprecedentë.

Marrja e Georgias do të ishte moment shumë i rëndësishëm. Që prej vitit 1964 ky shtet ka votuar për demokratët vetëm 4 herë, e fundit në 1992 për Bill Clinton. Nëse këtë vit voton për Biden, Georgia do të ishte një ishull blu në mes të një deti të kuq në hartën elektorale, e rrethuar nga shtete republikane.

Djemtë e Trump akuzojnë republikanët për mbështetje të dobët ndaj babait të tyre

Dy djemtë e Donald Trump kanë qortuar republikanët duke i akuzuar se kanë dështuar për të mbështetur Presidentin, ndërsa ai po lufton për të fituar mandatin e dytë.

Djali i madh i Trump, Don Jr, akuzoi Partinë Republikane si “të dobët”. Ndërsa, vëllai i tij Eric paralajmëroi me fjalët se: “Votuesit tanë nuk do t’ju harrojnë kurrë nëse do të vazhdoni të jeni dele”!

Këto paralajmërime vijnë pasi dy nga pjestarët më të moshuar të Partisë Republikane, Senatori i Utah Mitt Romney dhe Guvernatori i Maryland Larry Hogan kanë paralajmëruar një fushatë kundër Trump, nëse ai vazhdon të ndërhyjë në procesin demokratik.

Don Jr ka shkruar në Twitter për të shpjeguar zemërimin e tij, për ata që nuk po veprojnë në mbështetje të Trump duke thënë që mungesa totale e veprimit po vjen nga ata që shpresojnë për një kandidim në zgjedhjet e vitit 2024.

“Ata kanë një platformë perfekte për të treguar se janë të gatshëm dhe të aftë për të luftuar, por në vend se ta bëjnë këtë, ata po i nënshtrohen turmës mediatike. Mos u shqetësoni, @realDonaldTrump do të luftojë dhe ata vetëm mund të shikojnë si zakonisht!”, është shprehur djali i madh i Donald Trump.

Ndërkohë që Trump-i më i ri, u tha mbështetësve në Atlanta, Georgia, një nga shtetet kryesore, ku akoma po vazhdon numërimi i votave, se babai i tij kishte të drejtë të ngrinte sfida ligjore për procesin e numërimit të votave.

“Unë mendoj se gjëja numër një që Donald Trump mund të bëjë në këto zgjedhje është të luftojë secilën nga këto beteja deri në vdekje,” tha ai.

Trump: E fitoj lehtë garën po të numërohen votat e ligjshme

Donald Trump vijon të akuzojë se votat që po numërohen në disa shtete kyçe janë të paligjshme. Përmes një postimi në Twitter, edhe pse pa përmendur asnjë fakt, Presidenti amerikan thotë se e fiton lehtë garën nëse numërohen vetëm votat e ligjshme.

“E fitoj lehtë Presidencën e Shteteve të Bashkuara me votat e ligjshme. Vëzhguesit nuk u lejuan në asnjë mënyrë apo formë për të bërë punën e tyre dhe në këtë mënyrë, votat e pranuara gjatë kësaj periudhe duhet të përcaktohen si vota të paligjshme. Gjykata Supreme duhet që të vendosë”, shkruan Trump.

Ky postim është shënuar nga Twitter me një paralajmërim se mund të informacion të pavërtetë për zgjedhjet.

Mediat shkruajnë se nuk ka asnjë provë që të mbështesë pretendimet e Presidentit Trump. Vonesat në numërimin e votave me postë janë një procedurë standarde. Në disa shtete, duke përfshirë edhe Pennsylvania-n, nuk lejohet që të nisin numërimin e votave me postë deri në ditën e zgjedhjeve.

Edhe gjatë fushatës, Trump i ka quajturr mashtrim votimet me postë, ndërsa demokratët e kanë inkurajuar këtë gjë. Biden ka kërkuar që mbështetësit e tij të votojnë ashtu duke pasur parasysh edhe situatën e pandemisë. Këtë viti me postë votuan një numër rekord qytetarësh amerikanë.

A kanë të dy shanse për të fituar? Po. Ja sesi

Si Donald Trump dhe Joe Biden kanë ende shanse për të fituar, ndonëse nga si qëndrojnë gjërat deri më tani, Biden e ka rrugën më të thjeshtë drejt fitores.

Zgjedhjet Presidenciale në SHBA vendosen nga Kolegji Elektoral. Votuesit në çdo shtet votojnë të zgjedhurit, të cilët disa javë pas votimeve mblidhen për të vendosur fituesin.

Çdo i zgjedhur është i barabartë me një votë elektorale dhe numri i votave elektorale për shtet është në proporcion të drejtë me popullsinë e tij, kështu që shtete më të mëdha si Texas (38) dhe California (55) kanë më shumë, ndërsa shtete të vogla si Delaware (3) dhe Idaho (4) kanë më pak. Në total janë 538 vota elektorale dhe kandidatëve u duhen më shumë se gjysma për të fituar.

Me 264 vota të fituara, Biden i duhen vetëm 6 për të kaluar pragun dhe për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë. Kandidati demokrat mjafton të marrë kryesimin në Pennsylvania (20) dhe është Presidenti i ardhshëm i SHBA-ve. Nëse kjo ndodh, do të shohim një Trump, i cili siç ka paralajmëruar, do të ndërmarrë veprime ligjore.

Por mjafton që Biden të mbajë kryesimin në Nevada (6) apo Arizona (11), ndonëse në këtë shtet diferenca është e ngushtë dhe sërish e ka siguruar fitoren.

Donald Trump ka një rrugë shumë më të vështirë drejt fitores. Për të siguruar rizgjedhjen në krye të Shtëpisë së Bardhë duhet të marrë Pennsylvania, ashtu sikurse tre shtetet e tjera ku numërimi vijon, Arizona, Nevada, Georgia dhe North Carolina. Alaska, që gjithashtu nuk e ka përfunduar numërimin, mund të luajë rrol në fitoren e Trump.

Amerika në ankth, por çfarë ndodh në Rusi: A po pret Moska fitoren e Biden?

SHBA-ja është në ankth për të mësuar Presidentin e saj të ri e mesa duket kjo gjë nuk do të përfundojë shpejt. Përveç vonesave në numërimin e votave të ardhura me postë, diçka normale siç shkruajnë mediat amerikane, procesi zgjedhor është njollosur nga deklaratat e Trump, i cili është shprehur se duhet ndaluar numërimi i votave me postë pasi janë të paligjshme.

Projeksionet nxjerrin Joe Biden në krye të garës deri në këto momente, ndërkohë që po vijon numërimi në 5 shtete kyçe. Por ndërkohë që Amerika është përfshirë nga ankthi i zgjedhjeve, shteti kundërshtar i saj, Rusia po qëndron në heshtje. BBC shkruan se në këto zgjedhje Rusia i ka pasur pritjet të ulëta.

“Për Rusinë, zgjedhja mes Trump dhe Biden është si zgjedhja mes dy llojeve të ndryshme të vajit të ricinit”, shkruante një media në Moskë.

Nuk ka asnjë dyshim se mes Trump dhe Biden, Kremlini do të zgjidhte si “ilaç” të parin. Trump asnjëherë nuk e ka kritikuar Valdimir Putinin dhe ka bërë thirrje për lidhjen e marrëdhënieve të ngushta me Moskën. Nga ana tjetër, Joe Biden është më kritik ndaj Kremlinit. Prandaj ekziston frika se një presidencë me në krye Joe Biden do të thotë më shumë sanksione për Rusinë.

Moska duket sikur po qëndron në një anë dhe nuk i interesojnë zgjedhjet amerikane, por mediat në fakt kanë qenë më shumë dashamirëse ndaj Trump.

Por a do të ndryshojë kjo gjë?

Një gazetë qeveritare kishte disa vlerësime për kandidatin e demokratëve sot. “Ndryshe nga Trump i prirur nga agresiviteti, Biden ka marrë një pozicion dukshëm më neutral”.

“A është Biden kaq i tmerrshëm?”, pyeste një tjetër media ruse.

Ky ndryshim toni ka bërë BBC-në të shtrojë një pyetje interesante: A po pret Rusia të fitojë Biden?

LGBT+, 2 herë më shumë vota për Trump se në 2016-n

Nga rezultatet e sondazheve të zgjedhjeve është bërë e ditur se numri i njerëzve LGBT + që kanë votuar për Donald Trump këtë herë, është dyfishuar krahasuar me zgjedhjet e vitit 2016.

Rezultatet kanë treguar se përqindja më e madhe e njerëzve nga LGBT+, vazhdon të mbështesë demokratët megjithatë ka pasur një mbështetje pak më të madhe se sa kishte më parë edhe për republikanët.

Në zgjedhjet e vitit 2016, numri i votuesëve LGBT+ për republikanët  ishte 14% ndërsa këtë vit ka shkuar në 28%, përkundër qëndrimeve që Trump ka kundër këtij grupi.

Megjithatë, blloku i votimit LGBT + ka qenë prej kohësh me besueshmëri demokratike dhe me një përqindje totale nga sondazhet është zbuluar se rreth 66 përqind preferojnë Biden, ndërsa vetëm 34 përqind mbështesin Trump. //tvklan.al





Të ngjashme

Autori: Redaksia Tvklan.al

10:10 06/11/2020