Misioni i OSBE – së në Kosovë është angazhuar në zgjedhjet e Serbisë në lehtësimin e votimit të serbëve të Kosovës.

Zgjedhjet parlamentare të Serbisë që zhvillohen më 24 Prill, do të mbahen edhe në Kosovë. Nuk do të ketë qendra votimi, por, siç thuhet “pika grumbullimi”, të votave në vendbanimet ku serbët janë shumicë. Gjithsej do të ketë 10 qendra grumbullimi të votave. Për të lehtësuar këtë proces, është angazhuar misioni në Kosovë i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian, OSBE. Senad Subotiq, zëdhënës i OSBE-së në Kosovë ka thënë se kjo organizatë do ta zbatojë procesin e mbledhjes së votave të personave që kanë të drejtë vote.

“Jemi në kontakt me palët dhe presim sqarimin e të gjitha çështjeve që ndërlidhen me periudhën e ardhshme. Konsiderojmë që kjo do të bëhet shpejt. OSBE-ja është e gatshme të ndihmojë, në përputhje me çfarëdo marrëveshjeje që do të rezultojë”

, thotë Senad Subotiq.

Partitë parlamentare të Serbisë ka disa javë që në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë, po organizojnë mitingje në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të Serbisë më 24 Prill. Në fillim të këtij muaji, në Kosovë për të bërë fushatë për partinë e tij, ishte edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuciç me bashkëpunëtorë. Kjo vizitë u lejua nga institucionet e Kosovës, mirëpo, nuk iu lejua që të vijë në Kosovë radikalit serb, Vojisllav Sheshel. Që të gjithë zyrtarët serb sipas udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, gjatë vizitave në Kosovë po përdorin një gjuhë nacionaliste. Për këtë shprehu shqetësimin e tij edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Zgjedhjet e Serbisë vazhdimisht që nga përfundimi i luftës janë mbajtur edhe në Kosovë, duke ju mundësuar serbëve të Kosovës që të votojnë. Në organizimin apo lehtësimin e këtyre zgjedhjeve asnjëherë nuk janë përfshirë institucionet e Kosovës, por është përfshirë misioni i OSBE-së. Serbët e Kosovës kanë të drejtë të mbajnë dyshtetësi dhe kjo e drejtë atyre u garantohet me Kushtetutën e Kosovës.

DW/tvklan.al