Parku kryesor i Tiranës, i njohur si Parku Rinia do t’i nënshtrohet një ri-sistemimi total. Pa dhënë shumë detaje kryebashkiaku Veliaj tha se ndërhyrja do i ngjasojë asaj në parkun e Liqenit.

 “Jam i ndërgjegjshëm se është një park shumë i frekuentuar, por ka nevojë të vihet dorë. Me të njëjtën mënyrë siç kemi vënë dorë tek liqeni dhe kemi transformuar gjithë hapësirën atje, ashtu do të transformojmë edhe parkun “Rinia”,.

Bashkia po vijon edhe me zgjerimin e trotuareve dhe krijimi i aksesit për lëvizjen e të gjitha kategorive në zonën e shallvareve.

“Jam shumë i kënaqur nga mënyra se si po rikuperojmë tokë dhe terren, që më përpara ishte vetëm pronë e makinave, të cilat në fakt janë vetëm 20% e popullatës, kurse 80% e njerëzve ecin në këmbë, përdorin biçikletat dhe transportin publik. Kjo rrugë vërtetë ka qenë një rrugë tregtare, një rrugë me dyqane, me kafe e biznese, ama për trotuar kishim një shteg dhish, i cili nuk lejonte të shkëmbeheshin dy vetë, e jo më të shijonin vitrinat apo të bënin biznes. Ajo që kemi vënë re në të gjitha rrugët ku shtohen hapësirat pedonale ka më shumë biznes, ka më shumë ekonomi, ka më shumë xhiro”.

Sipas kryebashkiakut, shumë prej trotuareve të zaptuara gjatë viteve ‘90 janë legalizuar dhe hipotekuar.

Projekti për të përshtatur të gjitha trotuaret dhe rrugët për kalimin e karrocave të fëmijëve dhe personave me aftësi ndryshe i nisur disa muaj më parë prite të përfundojë në mes të këtij viti.

Tv Klan