Në videon e kamerave të sigurisë të momenteve para rrëmbimit të këngëtarit të tallavasë Reni i Elbasanit, shfaqen dy persona.

I pari që shfaqet në pamje në orën 20:11 minuta është një person i veshur me bluzë bojëqielli, me pantallona treçerekshe, me shapka dhe me një cantë të hedhur krahëve. Ai është Indrit Shaqja, një personazh i njohur për drejtësinë.

Indrit Shaqja është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy kunatave Elsa dhe Gjinovefa Vava, përkatësisht 75 dhe 70 vjeç.

Në bashkëpunim me Artur Kaçanollin, nipin e viktimave, dhe Vilson Elmazin, hynë për të grabitur në shtëpinë e dy të moshuarave në Durrës mesnatën e 2 Shtatorit 2014. Kunatat ndjenë zhurma dhe u përballën me grabitësit. Këta të fundit i dhunuan, i torturuan, ju lidhën duart me litar dhe i mbytën me qese plastmasi në kokë.

Nipi i viktimave, Artur Kaçanolli kishte vënë në dijeni dy shokët e tij se Elsa dhe Gjinovefa Vava mbanin në banesë sende me vlerë dhe shuma monetare. Ndërsa plani i grabitjes ishte organizuar nga Indrit Shaqja. Ky i fundit u arrestua më 15 Tetor 2014 në Spanjë ku dhe ishte arratisur pas krimit, ndërsa u ekstradua në vendin tonë më 26 Qershor 2015. Në sallën e gjyqit, Indrit Shaqja pranoi autorësinë e krimit duke rrëfyer të gjithë dinamikën.

Personi i dytë që shfaqet në videon ekskluzive të publikuar nga emisioni ‘Uniko’ në Klan Plus, është Denis Xhija.

I veshur me rroba të zeza,  ecën ngadalë, me njërën dorë  në xhep dhe tjetrën tek varëset e floririt, ai ndjek veprimet e Indrit Shaqjes i cili po komunikonte në atë moment me Renin. Dhe ky është i pajisur me një çantë dore, brenda së cilës nuk dihet cfarë ka.

Denis Xhija 40 vjeç me origjinë nga Shijaku dhe banim në Durrës, është person i shpallur në kërkim. Ai është dënuar në mungesë me 6 vite e gjysmë burg nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës për veprat penale të vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Me 26 Janar të vitit 2015, Deniz Xhija ose i njohur me mbiemrin tjetër Floroiu,  në një lokal në lagjen 7 në Durrës teksa po drekonte me tre shokë, u  konfliktua me njërin prej tyre dhe nxorri pistoletën për ta ekzekutuar në vend.

Gjendja midis tyre u acarua së tepërmi, dhe i pandehuri Deniz Xhija menjëherë u ngrit në këmbë dhe nxorri nga brezi pistoletën që mbante me vete pa leje të organeve shtetërore. 

Menjëherë ka ndërhyrë njëri prej personave që ndodhej në tavolinë, duke i devijuar dorën të pandehurit Deniz Xhija. Nga ndryshimi i drejtimit të qitjes, plumbi dëmtoi në pjesën e qafës një person që ndodhej i ulur në një tavolinë tjetër të lokalit dhe që nuk kishte lidhje me konfliktin.

Deniz Xhija, sipas mediave ndërkombëtare, rezulton se ka qenë i përfshirë dhe në një rrjet kriminal në vendet mes Rumanisë, Belgjikës dhe Gjermanisë. /klanplus