Policia e Shtetit shumë shpejt do të godasë elementët kriminalë që vendosin gjoba ndaj qytetarëve. Pohimi është bërë nga zv/ministrja e Brendshme Rovena Voda në studion e ABC News.

Sipas zv/ministres Voda, do të bëhen ndërhyrje në Kodin Penal për të forcuar dënimet ndaj veprave të tilla si gjobëvëniet. Në këtë aspekt, do të ketë një vëmendje të shtuar ndaj veprave të gjobëvënieve nga ana e elementëve kriminalë.

Zëvendësministrja e Brendshme bëri me dije gjithashtu se në vend ekzistojnë 41 grupe kriminale. Nëntë prej këtyre grupeve janë goditur nga policia gjatë operacionit “Forca e Ligjit”, e ngritur pikërisht për të luftuar krimin e organizuar.

“Janë 41 grupe kriminale që operojnë në vend. Nëntë prej tyre janë goditur nga operacioni “Forca e Ligjit”. Gjobëvënia do të jetë në fokus të paketës kundër “të paprekshmëve”. ‘Forca e Ligjit’ do të hetojë elementët kriminalë që kanë përfituar nga bastet sportive. Synojmë të rrisim dënimet në Kodin Penal për vepra si për shembull gjobëvënia”

, u shpreh Rovena Voda.

Zv/ministrja u pyet edhe për sigurinë në shkolla, për të cilën tha se janë shtuar efektivët në këto ambiente, por qëndrojnë pa uniformë.

“Do të jenë persona të trajnuar në Akademinë e Policisë, por do të jenë civilë dhe nuk do të mbajnë armë

“, tha zv/ministrja Voda për policët që qëndrojnë në shkolla.

/tvklan.al