Bilanci pozitiv, por stacionet nuk janë plotësuar të gjitha

Në “Ditën botërore të parandalimit të mbytjes” Shqipëria rezulton me një bilanc pozitiv sa i përket shmangies së fataliteteve në det.

Përfaqësuesi i federatës “Vrojtuesit e plazhit dhe shpëtimit në ujë”, Gent Lasku tregon se janë 1 mijë vrojtues plazhi të certifikuar në gatishmëri të sigurisë së pushuesve në të gjithë vijën bregdetare për këtë sezon turistik.

Vitet e fundit, thotë ai numri i pushuesve është pesëfishuar, ndërsa rastet e vdekjeve në det kanë rënë në mënyrë drastike.

“Nga 25 vrojtuesit e parë që kanë qenë në vitin 2017 sot jemi në afër 1000 vrojtues”.

Duke patur parasysh frekuentimin që kanë plazhet në mbarë Shqipërinë, ka rënë në mënyrë drastike numri i vdekjeve si pasoje e mbytjeve, falë ndërhyrjeve të vrojtuesve të plazhit. Por ai thekson se ka ende nevojë për të plotësuar të gjitha stacionet e vendosura përgjatë vijës bregdetare sipas kritereve të nevojshme.

“Kemi mbi 2 mijë stacione plazhe. Numri i vrojtuesve me stacionet janë në mospërputhje sepse jo të gjitha plazhet kanë vijë bregdetarë në një gjatësi të duhur. Një vrojtues duhet në çdo 80 metër vijë lineare por një hendek midis nevojës që ka tregu është i paplotësuar”. 

Por, me gjithë prezencën e  vrojtuesve nëpër plazhe, pushuesit nuk e shohin në nivelin e duhur sigurinë, duke kërkuar shtim të numrit të tyre.

“Po të ketë më shumë më mirë është”. 

“Nuk kam parë. do ishte shumë mirë, nëse s’ka jam i detyruar t’i ruaj vetë”.

Gjatë verës 2020, janë raportuar 12 mbytje në det, prej të cilave 4 kanë ardhur si pasojë e mbytjes në det. Edhe ky sezon deri tani ka regjistruar disa raste të mbytjeve kryesisht në plazhet e Adriatikut.

Sipas të dhënave të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetit, mbytja është një problematikat globale shëndetësore, e cila nuk merr ende vëmendjen e nevojshme.

Tv Klan