Naile Memaj, 101 vjeçare nga Zhuri i Prizrenit u vaksinua të premten me kurën anti COVID-19, në njësinë e vaksinimit në Prizren. Kësisoj, kjo grua prej një shekulli jetë është edhe pacientja më e vjetër deri më tani që është imunizuar në këtë komunë, njofton Klan Kosova.

Plaka 101 vjet tregon se nuk  ka hezituar për ta marrë këtë vaksinë. “Jo, nuk jam frikësuar. Kur po e marrin krejt, pse të frikësohem”, thotë Naile Memaj.

Pos dhimbjes së krahut, vaksina nuk i ka dhënë as edhe një reaksion tjetër. Derisa mjeku Arsim Berisha thotë se veprimi i 101-vjeçares është inkurajues edhe për të tjerët.

Kjo grua një izolim të ngjashëm ndonëse jo shëndetësor e kishte përjetuar edhe disa dekada më herët, në periudhën kur ishte mbyllur kufiri Shqipëri-Kosovë, dhe familjarët e vendlindjen e saj, Morinën e Shqipërisë nuk i kishte parë për 50 vjet.

Kur kam shkuar për herë të parë s’e kam njohur askënd, veç dajën”, tregon 101-vjeçarja Naile Memaj./KlanKosova