Humbin jetën 11 qytetarë të tjerë

Kanë pësuar një rritje të lehtë infektimet me koronavirus në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë raportoi se nga 3251 testime të kryera janë konfirmuar 519 raste të reja si mbartëse të virusit. Harta e përhapjes së koronavirusit edhe për këtë 24 orësh është e shtrirë në gjithë vendin, por kryeqyteti vijon të ketë sërish numrin më të lartë të infektimeve me 138 raste dhe pas tij vijnë Vlora me 47 raste, Korça me 29, Fieri me 23 dhe Shkodra me 22 raste.

Por ndërsa infektimet kanë shënuar rritje, fatalitetet kanë pësuar rënie. Në raportimin e fundit, autoritetet shëndetësore bënë të ditur se 11 qytetarë të tjerë e humbën betejën me koronavirusin, gjithsesi kjo është shifra më e ulët e viktimave që nga fillimi i Shkurtit.

Situata në spitale vijon të jetë e qëndrueshme. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se aktualisht në 4 spitalet Covid në Tiranë dhe 3 pavionet në spitalet rajonale po trajtohen 399 pacientë, 28 në terapi intensive, nga të cilët 10 pacientë janë të intubuar.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 671 qytetarë, ndërsa mbeten afro 34 mijë raste aktive me Covid në mbarë vendin.

Tv Klan