Një nxënës mysliman, 11 vjeçar, ka kërcënuar me prerje koke mësuesin e tij në një shkollë në Gjermani, një javë pasi ishte deklaruar se “edhe ai ishte në rregull të vriste këdo që fyen Profetin.”

Reagimi fillestar i nxënësit, kishte ardhur pasi ishte mbajtur 1 minutë heshtje për Samuel Patyn, mësuesin e vrarë në Francë.

Sipas agjencisë DailyMail, ditë më vonë djali kishte kërcënuar me prerje koke mësuesin e tij në përgjigje të paralajmërimit se do të kishte pasoja nëse prindërit nuk do të merrnin pjesë në një takim në shkollë.

Pas këtyre reagimeve, drejtori i shkollës kishte ftuar prindërit e djalit për të ngritur alarm rreth sjelljes së tij, ndërsa nëna e femijës ishte shprehur se “familja jonë është myslimane, por jo me pikëpamje kaq ekstreme, kështu që djali këto ide duhet t’i ketë marrë në shkollë” .

11 vjeçari, më përgjigjen se “është në rregull të vrasësh këdo që fyen Profetin”, i referohej 18-vjeçarit Abdoulakh Anzorov, ekstremistit Çeçen që i preu kokën mësuesit Samuel Paty, në periferi të Parisit më 16 Tetor.

Paty ishte vënë në shënjestër, pasi kishte shfaqur karikatura të Profetit Muhamed në klasën e tij gjatë një mësimi, duke shkaktuar  zemërim te prindërit myslimanë.

Presidenti francez Emmanuel Macron e ka cilësuar Paty-n si një “hero të qetë” dhe u ka bërë homazhe mësuesve të Francës ndërsa është zotuar të mbronte lirinë e shprehjes. Pas kësaj, edhe Macron është bërë shënjestër e zemërimit nga e gjithë bota muslimane, ku imazhi i tij është djegur gjatë protestave të organizuara në vende të ndryshme./tvklan.al