Po iknin nga policia që hyri për të ndërprerë festën në kohë pandemie

Argëtimi në një diskotekë në Peru ka përfunduar në një tragjedi. 13 persona kanë humbur jetën teksa forcat e policisë u futen për të ndërprerë festën pasi ajo ishte organizuar kundër kushteve të pandemisë. Frika nga arrestimi ka bërë që ata të dilnin me vrull nga ambientet e diskotekës.  

Por sipas mediave vendase dyshohet se të rinjtë kanë vdekur pasi janë tërhequr me forcë nga policia, e cila mendohet se mund të ketë ushtruar edhe dhunë mbi ta.

Diskoteka në Peru ishte hapur pa lejen e autoriteteve, të cilat janë mbyllur që kur pandemia u përhap. Gjithashtu gjashtë persona të tjerë janë lënduar, përfshirë edhe tre policë.

Në momentin kur policia hyri që të largonte njerëzit në këtë klub nate, në të ishin rreth 120 persona, të cilët tentuan që të iknin që aty. Sipas asaj që raporton Al Jazera policia ka arrestuar 23 pjesëmarrës në festën që ishte organizuar në këtë klub nate.

Autoritetet në Peru kanë pezulluar çdo aktivitet për të mos lejuar grumbullime. Aktualisht ky vend numëron 585 mijë të infektuar dhe 27 mijë vdekje qëkur pandemia u përhap.

Klan Plus