Shifra rekord, 15 viktima dhe 836 të prekur në 24 orë

Shifra rekord, 15 viktima dhe 836 të prekur në 24 orë

16:40 20/11/2020

Humb jetën edhe një foshnje 16-muajshe nga Covid

Përhapja e koronavirusit në vendin tonë vijon të thyejë çdo ditë rekorde të reja. 15 persona humbën jetën në 24 orët e fundit duke e bërë këtë të premte ditën me numrin më të lartë të viktimave që nga nisja e pandemisë dhe duke e çuar totalin e jetëve të humbura në 672. Për herë të parë në vend humbi jetën nga virusi edhe një fëmijë 16-muajsh.

Sipas QSUT ai po trajtohej në pavionin COVID në Pediatrinë e Tiranës për gjendjen dhe shenjat klinike për sëmundjen Kawasaki, por gjendja e tij u rëndua brenda 24 orëve. Ai u dërgua në terapi intensive, nuk mundi të mbijetojë edhe si pasojë e një komplikacioni të rrallë që haset te fëmijët e prekur nga covid.

Tre nga viktimat e tjera janë nga Tirana, 2 nga Shkodra, 2 nga Pogradeci dhe 1 nga Lezha, Saranda, Kukësi, Mati, Dibra, Fieri dhe Lushnja.

Një tjetër rekord është shënuar edhe për numrin e të infektuarve në 24 orë. Nga 2677 teste të kryera 836 qytetarë kanë rezultuar pozitivë në të gjithë vendin, 50 më shumë se një ditë më parë.

Numrin më të madh të të infektuarve vazhdon ta mbajë kryeqyteti me 560 raste, e ndjekur nga Fieri dhe Elbasani me 31 raste dhe më pas Vlora me 30 dhe Durrësi me 28 të infektuar të rinj.

I lartë mbetet edhe numri i të shtruarve në 3 spitalet covid. Aktualisht 436 pacientë po marrin shërbim, 10 prej të cilëve në terapi intensive dhe 5 të intubuar. 490 qytetarë janë shëruar duke e çuar në total numrin e të shërurave në 15055. Nga nisja e pandemisë deri tani janë infetuar 31,459 persona dhe gjysma e tyre janë ende aktivë.

Tv Klan





Të ngjashme