Vijon të jetë e rëndë situata në SHBA ku numri i viktimave rritet çdo orë, në mënyrë të frikshme. Në vetëm 24 orë kanë humbur jetën 1528, pacientë një tjetër shifër rekord që asnjë vend deri më tani nuk e ka arritur që nga fillimi i pandemisë.

Me ritme të shpejta po rritet edhe numri i të infektuarve duke kapur totalin e mbi 560 mijë të prekur, më e lartë se Spanja dhe Italia.

Eksperti për sëmundjet infektive në Shtetet e Bashkuara, Anthony Fauci, ka paralajmëruar se ekziston një rrezik i jashtëzakonshëm pasi virusi do të vijojë të përhapet shumë më shumë nëse SHBA rifillon edhe aktivitetet dhe i rikthehet normalitetit.

Sipas skenarëve që kanë parashikuar autoritetet, Covid-19 do të shkaktojë 60 mijë të vdekur dhe mund të zgjasë deri në Korrik.

Presidenti Donald Trump ka këmbëngulur që vendi të hapet sa më shpejt duke vendosur datën 1 Maj si një datë e mundshme për rihapjen e qyteteve. 

Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka theksuar se këtë vendim po e bën për të mbrojtur  shëndetin e amerikanëve dhe ringritjen ekonomike e shikon si vendimin më të rëndësishëm që ka marrë deri më sot.

Trump një ditë më parë në ditën e Pashkëve deklaroi se virusi është një plagë siç nuk e ka parë askush, por SHBA po e fiton betejën dhe se shumë shpejt të gjithë njerëzit do të jenë më të bashkuar me njëri-tjetrin.

Si fillim, Presidenti shpresonte që vendi të ishte i hapur përpara Pashkëve, por reagimi i rreptë i mjekëve e detyroi që ta shtynte sërish datën.

Klan Plus