Viktimat ditore thyejnë rekord edhe në Britani

Mbi 1900 të vdekur brenda një dite nga koronavirusi, është rekordi global që vendosën Shtetet e Bashkuara në 24 orët e fundit. Një shifër tepër e lartë që e çon numrin total të viktimave afro 13 mijë. I lartë është edhe numri i të infektuarve të rinj, që e ka çuar totalin e të prekurve në mbi 400 mijë.

Shifrat tregojnë se përhapja e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara vijon të përshpejtohet, në dallim nga një pjesë e vendeve europiane ku situata është e stabilizuar. Për Presidentin amerikan Donald Trump, këto shifra tregojnë se epidemia ndodhet pranë kulmit dhe shumë shpejt, situata do të vihen nën kontroll. Ai njoftoi se javët e ardhshme, në spitalet ku kurohen pacientët me koronavirusi do të shtohen mbi 110 mijë aparatura që ndihmojnë në furnizimin me oksigjen të mushkërive.

Rekord të ri ditor viktimash theu edhe Britania e Madhe. Në 24 orët e fundit u shënuan 938 të vdekur, afro 7100 në total. Të infektuarit e të njëjtës periudhë kohore janë mbi 5400, duke e çuar totalin e të prekurve në mbi 60 mijë.

Kryeministri Boris Johnson vijon të jetë në terapi intensive, ndërsa gjendja e tij shëndetësore është drejt përmirësimit, siç thanë zëdhënësit. Ai po merr frymë në mënyrë natyrale pa ndihmën e aparaturave.

Në 24 orët e fundit u shënuan 757 të vdekur edhe në Spanjë, një rritje e lehtë krahasim me një ditë më parë, por që megjithatë vijon të tregojë qëndrueshmëri. Spanja numëron në total mbi 14 mijë të vdekur, ndërsa të prekurit kanë arritur në afro 147 mijë.

Të tjera shenja pozitive në betejën kundër koronavirusit shfaqi edhe Italia, ku në 24 orët e fundit u shënuan 542 viktima, rreth 100 më pak se një ditë më parë, duke e çuar totalin në afro 18 mijë. Në të njëjtin nivel me të martën janë edhe infektimet e reja mbi 3800. Ndërsa totali i të prekurve shkon në mbi 139 mijë.

Në Francë, mbi 40 ushtarë të aeroplanmbajtëses bërthamore Sharl de Gol u vunë nën mbikëqyrje të rreptë shëndetësore pasi shfaqën simptoma të ngjashme me koronavirusin. Ata po u nënshtrohen testeve. Mjekët thonë se përhapja e koronavirusit në Francë ende nuk mund të konsiderohet nën kontroll, pas më shumë se shifrave tepër të larta me mbi 1 mijë viktimave të tjera që u bënë publike në 24 orët e fundit. 

Ndërsa Wuhani, vatra e pandemisë globale shënoi sot ditën e parë të heqjes së masave të rënda bllokuese 76 ditore kundër përhapjes së koronavirusit. Udhëtimet me qytetet e tjera u rikthyen dhe mbi 65 mijë persona kanë prerë bileta për t’u larguar. I gjithë globi numëron aktualisht mbi 85 mijë të vdekur e më shumë se 1.4 milionë të prekur.

Tv Klan