Tre kompani kanë shprehur interes për të ndërtuar Rrugën e Arbrit. Dy Tetori ishte afati i fundit që Ministria e Infrastrukturës kishte lënë si afat për të gjithë operatorët privatë që kishin interes për të ndërtuar këtë segment.

“Gjoka Konstruksion” ka dorëzuar një ofertë për të përfunduar veprën me një shumë prej 250 milionë eurosh. Kjo firmë është favorite në garë pasi ka bërë studimin e fizibilitetit, ndërsa në muajin prill u shpërblye me 10% të pikëve bonus.

Interes ka shprehur edhe kompania “Alb- Star”, e njëtja firmë që ka marrë përsipër ndërtimin e një vepre publike, siç është ajo e stadiumit “Qemal Stafa”. Minsitria e Infrastukturës njofton se kjo shoqëri nuk ka bërë një ofertë financiare për vlerën e ndërtimit të veprës.

Firma e tretë që ka dorëzuar ofertë është ajo e operatorit ekonomik Adem Pojani, por dokumentat e  këtij subjekti nuk kanë rezultuar të mjaftueshme për t’u konsideruar një ofertë zyrtare.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka 60 ditë afat për të shqyrtuar dokumentacionin dhe më pas do të dalë me shpalljen zyrtare të fituesit. Segmenti i Rrugës së Arbrit do të jetë i gjatë 69 kilometra. Në tender është vendosur si kusht që kompania fituese nuk do të vendosë taksë për rrugën, por pagesën për mirëmbajtjen do ta negociojë me palën shtetërore.

Qeveria nuk do të pranojë oferta më të mëdha se 250 milionë euro, ndërsa kusht tjetër është që 190 milionë të kësaj vepre t’i japë ndërtuesi dhe 60 shteti. Në kohën që rruga do të përfudojë, atëherë kompania do të marrë me këste paratë nga buxheti. Në bazë të projektit të rrugës, vepra pritet të përfundojë për 4 vitesh.

Tv Klan