Shqipëria vijon të jetë një nga vendet e pakta ku qarkullimi i sasisë së parasë “cash” është në nivelet më të larta, krahasuar dhe me vendet e tjera të rajonit.

Për të ulur përdorimin e “cashit”, për të ulur informalitetin dhe për të rritur numrin e përdoruesve të parasë elektronike, qeveria ka ndërmarrë një projekt pilot duke përzgjedhur 300 persona në Tiranë, Përmet e Dibër për t’ju hapur një llogari elektronike dhe pajisur me një kartë që do të përdoret për pagesa digjitale.

Delina Ibrahimaj: Qeveria do ju hapë një depozitë me 10 mijë lekë brenda, do të shohë sesa funksionon  kjo në realitet, sa përdoret dhe sa efektive është për njerëzit për ta shtrirë më pas këtë në përdorimin e llogarive në Fintek.

Në podcastin e kryeministrit këtë të shtunë veç ministres së Sipërmarrjes ishin ftuar dhe 3 përfaqësuese të Start-up Fintek që ofrojnë shërbime të ngjashme me bankat përveç kredive dhe depozitave me përqindje, e që konkurrojnë me bankat pasi ofrojnë shpejtësi në veprime dhe 0 komisione ose me përqindje shumë të ulëta.

Pikërisht përmes llogarive në Fintek qeveria ka vendosur të shpërndajë dhe pensionet duke hequr dorë nga shpërndarja fizike në sportelet e postave apo përmes zarfave nëpër shtëpi.

Tv Klan