Greqia synon të thyejë një tjetër rekord turistësh të huaj këtë vit. 33 milionë të huaj vizituan vendin vitin e kaluar, duke shpenzuar 16.4 miliardë euro. Agjencitë turistike kanë shtuar interesin edhe ndaj turistëve nga Shqipëria.

“Disa turistë preferojnë t’i kalojnë pushimet në ishujt grekë. Ka të tjerë që prenotojnë nëpërmjet zyrave turistike në Shqipëri, ashtu sikurse ka një pjesë që prenotojnë direkt nga interneti“, thotë Antonis Seretis, drejtues i një agjencie turistike.

Edhe pse u godit mjaft rëndë në fillimet e krizës së thellë dhjetëvjeçare të Greqisë, turizmi arriti të mbijetonte. Dhe jo vetëm kaq, por është bërë lokomotiva e vetme që e mban në lëvizje ekonominë greke. Të ardhurat nga turizmi përfaqësojnë rreth 12 % të Prodhimit të Përgjithshëm të Brendshëm. Më shumë se gjysma e vendeve të punës në Greqi kanë lidhje direkte apo indirekte me sektorin e turizmit.

5 miliardë euro u investuan në turizëm vetëm në 2018-n, veçanërisht në ndërtimin e hoteleve luksoze. Megjithatë, ekspertët e fushës thonë se në ishujt e famshëm si Mikonos e Santorini mbipopullimi ka arritur në nivele kritike. Situata po shfrytëzohet nga vendet fqinje.

“Kam përshtypjen që po të bëhen fushatat e nevojshme publicitare edhe nga vendet fqinje, ka shumë mundësi që turistë të cilët vijnë nga larg, të vizitojnë edhe vendet fqinje. Sepse edhe vendet fqinje kanë zona interesante, ku turisti do të dëshironte të shkonte”, shton Seretis.

Tv Klan