Dy barka me emigrantë që ishin nisur nga Turqia në Greqi u mbytën, duke shkaktuar vdekjen e 35 personave.

Tragjedia e parë ndodhi afër ishullit të Lesbos në Greqi, bilanci i të cilës ishte 24 viktima, mes të cilëve shumë fëmijë, ndërsa ngjarja e dytë, sipas agjencisë turke “Dogan”, ndodhi pranë Dikilit, në provincën e Izmirit.

Duke iu referuar shifrave të publikuara nga Organizata Ndërkombëtare të Emigracionit, IOM , deri më 5 shkurt të paktën 374 persona kanë humbur jetën, në përpjekje për të mbërritur në Europë dhe rruga më e ndjekur nga emigrantët është nga Turqia drejt Greqisë.

Janë rreth 69 mijë emigrantë që kanë mbërritur në brigjet greke gjatë muajve të parë të këtij viti.

Lajmi i mbytjes së dy barkave vjen në kohën kur kancelarja gjermane Angela Merkel zhvilloi brenda pesë muajve vizitën e dytë në Turqi, ku kërkoi reduktimin e numrit të emigrantëve që i drejtohen Europës.

Pas takimit me kancelaren gjermane, kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, tha se Gjermania dhe Turqia do të kërkojnë përfshirjen e NATO-s në Detin Egje dhe në kufirin me Sirinë, për t’i bërë ballë fluksit të emigrantëve”.

Tv Klan