ISHP: Duhet të përdorni maskë kur dilni nga shtëpia

Pas afro 3 javësh nga numri i lartë i të prekurve me Covid -19 në një ditë, vendi ynë shënon numrin më të ulët të të infektuarve me vetëm 6 raste.

“Deri në këto momente janë testuar 2753 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 383 raste. sot kemi një ulje të ndjeshme të numrit të rasteve të prekurve nga COVID-19 që tregon se hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i rasteve të reja apo kontakteve të tyre ka funksionuar në mënyrën e duhur dhe është kryer sipas protokolleve të përcaktuara”.

4 prej të infektuarve janë  evidentuar në Tiranë, një në Korçë dhe një në Elbasan.

“ Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Elbasan, Korçë… Siçe tregojnë edhe shifrat e ditëve të fundit, ku ka raste brenda të njëjtës familje, është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19”.

Nga 383 të infektua, 74 pacientë janë të shtruar në dy spitalet Covid.

“Në shërbimin infektiv aktualisht janë 67 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar gjithsej. 6 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 3 pacientë janë të intubuar”.

Me uljen e numrit të të infektuarve me Covid-19, është rritur edhe numri i të shëruarve.

“Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 131”.

Për të minimizuar përhapjen e koronavirusit, Instituti shëndetit publik rekomandon përdorimin e maskave.

“Të mbahet distance dhe të përdoret maskë”.

Deri tani në vendin tonë, në javën e pestë të rasteve të evidentuara me Covid, kanë humbur jetën 22 persona. Shumica prej tyre kanë qenë me sëmundje bashkëshoqëruese.

Tv Klan