39 vjet më parë, më 16 Gusht 1977 largohet nga jeta në moshën 42-vjeçare, mbreti i Rock and Roll-it, Elvis Presley.

Presley vdiq në Memfis, si pasojë e një ataku në zemër, por vepra dhe miti që ai krijoi, nuk reshti kurrë së jetuari edhe pas shuarjes së tij.

The King, Mbreti, siç njihej ndryshe Elvis Presley, është edhe sot një burim frymëzimi për breza të tërë muzikantësh e këngëtarësh të Rock and Roll-it.

Paraqitja e tij skenike dhe mimika me të cilën shoqëronte performancat e tij, u kthyen një model në kulturën amerikane dhe atë botërore.

Albumi i parë i Elvis Presley-t, që mbante emrin e tij, arriti të shesë më shumë se 360 mijë kopje vetëm në një muaj dhe u bë disku i parë në historinë e muzikës që shet më shumë se 1 milionë kopje.

Disa nga këngët më të famshme të Elvis Prelsey janë Can’t Help Falling in Love, Hound Dog, Love me Tender, apo Don’t Be Cruel.

Në total Mbreti i Rock and Roll-it ka publikuar 61 albume, duke shitur më shumë se 1 miliard disqe, një rekord botëror të cilin e ndan me të tjerë legjendarë, si Beatles apo Michale Jackson.

Tv Klan