400 viktima në 24 orë, rriten edhe të prekurit

Përhapja e koronaivrusit në Spanjë po ndjek hap pas hapi ritmet e Italisë. Afro 400 viktima u shënuan gjatë 24 orëve të fundit në Spanjë, duke e çuar në 1720 numrin e përgjithshëm të tyre.

Po ashtu 3600 persona rezultuan pozitivë ndaj testeve për koronavirus, duke e çuar në total në mbi 28 mijë numrin e përgjithshëm të të infektuarve. Megjithatë po rritet edhe numri i të shëruave, duke arritur së fundi në 2575 në total. Rajoni me përhapjen më të madhe është Madridi.

Mbi 2 mijë të infektuar në një ditë u konstatuan edhe në Gjermani, ku tashmë të prekur janë mbi 23 mijë persona. 93 janë të vdekurit nga koronavirusi në këtë vend. Qeveria gjermane u kërkoi kompanive të mëdha të automjeteve, që një pjesë të aktivitetit të tyre prodhues ta venë në dispozicion të prodhimit të mjeteve në ndihmë të emergjencës.

Firma si ‘Daimler’ e ‘Volkswagen’ do të prodhojnë maska e ventilatorë për pacientët. Lokomotiva e zhvillimit të Eurozonës parashikon një rënie ekonomike deri 5% për këtë vit, për shkak të masave të jashtëzakonshme.

Drejtori ekzekutiv i OBSH-së Mike Ryan tha se masat e jashtëzakonshme të aplikuara në shkallë globale janë efektive, por koronavirusi rrezikon të përhapet sërish nëse ato hiqen. Vetëm vaksina, sipas tij, do t’i japë zgjidhje kësaj situate.

Italia është vendi i parë në botë për nga numri i viktimave me afro 5 mijë. Në gjithë botën numërohen 13.400 të vdekur dhe afro 312 mijë të infektuar që prej nisjes së përhapjes. Vetëm 30% e tyre janë shëruar deri më tani. 

Tv Klan