Prokurori i çështjes, Vladimir Mara në konferencën e përbashkët për shtyp mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane dha detaje për operacionin masiv antidrogë. Kështu Mara zbuloi se përgjatë këtij procedimi penal janë sekuestruar 6 ton drogë të llojeve të ndryshme, sipërfaqe të mëdha tokash dhe pronash dhe 4 shoqëri tregtare në Shqipëri, vlera e të cilave arrin deri në 3 milionë Euro. Pjesa më e madhe e pronave është sekuestruar në qytete si Vlorë, Tiranë, Kavajë etj. Po ashtu prokurori tha se është dokumentuar veprimtaria kriminale e 4 grupeve të strukturuara kriminale që vepronin në bashkëpunim me grupet kriminale italiane.

“Gjatë hetimit të këtij hetimi janë evidentuar episode të shumta të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt brigjeve italiane dhe pastaj shtrirja në disa vende të Italisë dhe vende të Europës. Kryesisht të lëndëve narkotike dhe llojit të kanabisit sativa, heroinë, kokainë dhe llojit të tjerë të përpunuar. Gjatë hetimit të këtij procedimi penal janë sekuestruar mbi 6 ton lëndë narkotike në Shqipëri dhe Itali dhe janë nxjerrë masa sigurie për 80 persona të dyshuar. Ditën e sotme ne kemi përfunduar një operacion, një operacion në vijim në fakt, për ekzekutimin e 28 masave të sigurimit. Operacioni është shtrirë në Shqipëri, Mal të ZI, Itali dhe Spanjë. Operacioni ka shkuar me sukses. Do ndalesha në dy momente shumë të rëndësishme. E para ka qenë besimi i krijuar nga autoritetet italiane dhe autoritetet shqiptare për të ndarë të dhëna dhe informacione në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe sa  më të shpejtë. E dyta, një element shumë i rëndësishëm që ka ndihmuar në këtë hetim kanë qenë 4 bashkëpunëtorët e drejtësisë që kanë ndihmuar duke na dhënë të dhëna të hollësishme. Theksojmë se 4 bashkëpunëtorët nuk kanë qenë thjeshtë pjesë e grupeve kriminale, por kanë pasur një rol të rëndësishëm në përbërjen e këtyre grupeve kriminale. Është dokumentuar i gjithë rrjeti që nga kultivimi, magazinimi, trafikimi dhe mbërritja e lëndës narkotike në brigjet italiane. Së dyti, në kohë reale është ndjekur edhe një hetim pasuror dhe janë identifikuar dhe sekuestruar të gjitha pasuritë të cilat janë vënë si rezultat i aktiviteteve kriminale, apo të ardhura të tjera të fituara në mënyrë të paligjshme. E ndajmë në dy momente pasi në këtë hetim janë evidentuar edhe zyrtarë të lartë, të përfshirë drejtpërdrejtë në krimin e organizuar si dhe përfitues dhe mbështetës të krimit të organizuar. Kemi konstatuar zyrtarë të lartë duke shpërdoruar detyrën kanë qenë të involvuar në trafikun e drogës. Puna jonë kjo është dhe është shumë e rëndësishme që të evidentohen këto elemente që sjellin një regres në luftën ndaj krimit të organizuar. Sot janë sekuestruar një numër i madh pasurish. Pasuritë janë kryesisht në qytetin e Vlorës, në qytetin e Kavajës, në Tiranë dhe në vende të tjera. Pasuritë janë të paluajtshme, gjithsej 12 pasuri të paluajtshme që janë restorante, hotele, supermarkete, troje ndërtimi etj. Janë sekuestruar 4 shoqëri tregtare me gjithë kapacitetin e tyre dhe disa pasuri të tjera që në fakt kapin një vlerë mbi 2-3 mln Euro. Është dokumentuar fakti që këto pasuri janë direkt të vëna si rezultat i të ardhurave nga aktiviteti kriminal. Ka qenë një hetim shumë i mirë, hetim i ndjekur me metoda speciale të hetimit. Në Shqipëri janë evidentuar dy episode. Në njërin prej tyre është autorizuar dorëzimi i kontrolluar. Është dokumentuar veprimtaria kriminale 4 grupeve të strukturuara kriminale që vepronin në mënyrë të ngushtë me grupe kriminale në Bari dhe grupe të tjera në Itali”, tha Mara.

SPAK i shkon në shtëpi, ish-nënkomisari i Policisë hidhet nga kati i dytë

Përpara se të shkonte në qeli, Festim Lelaj u desh të kalonte më parë në ambientet e spitalit. Kjo pasi ish-nënkomisari i Policisë së Fierit, u hodh nga akti i dytë i shtëpisë së tij, në momentin që oficerët SPAK shkuan për ta arrestuar.

Klan News mëson se Lelaj ka pësuar fraktura në këmbë dhe pas marrjes së mjekimit në spital është nisur së bashku me të arrestuarit e tjerë drejt Tiranës.

Emri i tij është në mesin e 28 urdhërarresteve të lëshuara nga SPAK, në kuadër të një operacioni antidrogë në bashkëpunim me autoritetet italiane, që çoi në zbulimin e përfshirjes së disa zyrtarëve të ndryshëm publikë, prokurorë, punonjës policie dhe administratorë të pushtetit lokal.

Zbardhen emrat e personave të përfshirë në trafik droge

Klan News ka zbardhur emrat e personave të përfshirë në trafikun e drogës e që ndaj tyre është ekzekutuar këtë të premte masa e sigurisë e lëshuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Masa e sigurisë ‘arrest me burg’ është ekzekutuar për këta persona: Aleks Memaj, Jovan Memaj, Aleksandër Neço, Shkëlzen Kamberi, Benard Tahiraj, Mereglen Çaçi, Erind Hysomenaj, Klajdi Ademi, Toni Kushi, Erion Hoxhara, Çezar Gjomemo, Sajmir Kurti, drejtor i zyrës së Punës në Kavajës; Malton Lleshi, Shkëlzen Daçi, Eltion Bregasi, Paul (Agustin) Deda, shoqërues i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në vitin 2016; Hekuran Marku, shoqërues i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në vitin 2016; Hamid Seferi, Leonidha Sejdiaj, Ilir Gaba, Geri Zylyftari, Erlind Zylyftari, Artan Zylyftari, Festim Lela, Ish-oficeri i policisë, i proceduar më parë për trafik narkotikësh.

Gjykata ka vendosur që të lerë në arrest shtëpie Prokurorin e Vlorës, Maksim Sota. E njëjta masë është vendosur për ish-nëndrejtorin e Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla. Masë “arrest shtëpie” është dhënë edhe për Artur Krasniqin e Luan Zylyftarin.

Prokuroria e Posaçme njoftoi të premten se gjithsej janë lëshuar 28 urdhërarreste. SPAK në bashkëpunim me Antimafian italiane thotë se kanë zbuluar të gjithë zinxhirin e kultivimit të drogës  e deri në transportimin dhe shitjen e saj në Itali.

Në pranga janë vënë edhe zyrtarë publikë që sipas SPAK në disa raste kanë qenë pronarë të drogës dhe kanë garantuar, jo vetëm nga ana tokësore, por edhe detare në Shqipëri, që dërgimi i lëndës narkotike i destinuar në brigjet e Puglia-s të kryhej me siguri të plotë.

Operacioni antidrogë, të arrestuar edhe dy shoqërues të Saimir Tahirit kur ishte ministër

Po ashtu gjatë hetimeve është zbuluar edhe shpërdorimi i detyrës nga ana e zyrtarëve të lartë publikë dhe në disa raste kanë qenë pronarë të drogës. Gjithsej janë arrestuar, një administrator publik, një prokuror, tre zyrtarë të lartë të policisë e dy punonjës të tjerë policie. Këta të  fundit sipas SPAK kur kanë kryer veprën penale në vitin 2016 kanë qenë pjesëtarë të grupit të shoqërimit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

“Në veçanti, masat e sigurisë personale janë ekzekutuar, (përveç 10 shtetasve që janë arrestuar më parë në kuadër të operacionit Kulmi) edhe për një administrator publik (drejtor), një prokuror, tre zyrtarë të lartë të policisë e dy punonjës të tjerë policie, këta dy të fundit në kohën e kryerjes së veprave penale – në vitin 2016 –  me detyrën e pjesëtarëve të grupit të shoqërimit të ish – Ministrit të Brendshëm. Zyrtarët publik, në disa raste pronarë të drogës, kanë garantuar, jo vetëm nga ana tokësore, por edhe detare në Shqipëri, që dërgimi i lëndës narkotike i destinuar në brigjet e Puglia-s të kryhej me siguri të plotë”, thotë SPAK.

“4 bashkëpunëtorët e drejtësisë zbuluan “zinxhirin” e aktivitetit kriminal”

Prokurori i çështjes, Vladimir Mara, njoftoi se një e re gjatë hetimit ka qenë kontributi i 4 bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Ai u shpreh se këta persona kanë pasur një rol të rëndësishëm në grupet kriminale.

“Autoritetet Shqiptare dhe DIA, gjatë hetimeve të mëparshme bërë në Shqipëri në kuadër të operacioneve SHEFI dhe KULMI në Mars të vitit 2018 e në Qershor të vitit 2020, kanë rindërtuar, edhe me ndihmën e deklaratave të katër bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të dhëna  për shkelje të ligjit dhe veprime korruptive te kryera nga zyrtar publik shqiptar, pastrim parash, po ashtu të gjithë “zinxhirin e prodhimit” të lëndës narkotike, që nga kultivimi, prodhimi, mbledhja, magazinimi dhe trafikimi në drejtim të brigjeve puljeze me mjete lundruese  të fuqishme. Një e re absolute e këtij hetimi është kontributi i çmuar i bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të gjithë shtetas shqiptar, deklaratat e të cilëve, në lidhje me krimet e kryera në Shqipëri dhe në Itali, janë mbledhur në Bari nga prokurorët e D.D.A-së lokale e të SPAK-ut të Tiranës e pasi janë verifikuar përkatësisht, janë përdorur – në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore – në procedimin penal shqiptar”, thuhet në një njoftim të SPAK.

Prokurori Maksim Sota

Operacioni antidrogë, në pranga 1 prokuror dhe zyrtarë të lartë

Një prokuror dhe disa zyrtarë të tjerë të policisë janë vënë në pranga si pasojë e operacionit antidrogë “Shpirti” i organizuar nga SPAK në bashkëpunim me Antimafian italiane. Mësohet se prokurori i arrestuar është Maksim Sota, i cili aktualisht ushtron detyrën në prokurorinë e Vlorës. Sota është lënë në arrest shtëpie nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sota, dikur ka qenë kandidat për në SPAK, por u skualifikua nga gara.

Në pranga kanë rënë edhe zyrtarë të lartë të policisë dhe administratorë të pushtetit lokal, më saktësisht një drejtor. Mes personave të arrestuar janë ish-nëndrejtori i Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla, si dhe Festim Lelaj, një ish-oficer policie i arrestuar edhe më herët për trafikim lëndësh narkotike në drejtim të Italisë. Për Ballën është lënë masa e sigurisë “Arrest shtëpie”. E njëjta masë është lënë edhe për Artur Krasniqin dhe Luan Zylyftarin, por nuk dihet ende roli i tyre në këtë aktivitet të paligjshëm.

SPAK ka njoftuar se dy punonjës policie të arrestuar kur kanë kryer veprën penale në vitin 2016 kanë qenë pjesëtarë të grupit të shoqërimit të Saimir Tahirit, në kohën kur ai ishte ministër. Por ajo që ka zbuluar SPAK është fakti se zyrtarët publikë, në disa raste kanë qenë edhe pronarë të drogës. Ata kanë garantuar jo vetëm nga ana tokësore, por edhe detare në Shqipëri, që dërgimi i lëndës narkotike i destinuar në brigjet e Puglia-s të kryhej me siguri të plotë.

Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, njoftoi gjatë një konference të përbashkët se institucioni që ai drejton do t’i shkojë deri në fund hetimit dhe personat përgjegjës do të përgjigjen penalisht, përfshirë këtu edhe zyrtarët publikë.

“Para një viti ne ishim në konferencë në Romë, ku sqaruam fazën e parë të këtij operacioni. Në takim kam theksuar një fjalë se do i shkojmë në fund hetimit për të zbuluar se kushdo që është i përfshirë në këtë aktivitet do të përgjigjet penalisht, përfshirë edhe zyrtarë publikë. Jemi në situatë ku e kemi mbajtur premtimin dhe do vazhdojmë në të njëjtën rrugë”, tha Arben Kraja.

Ndërkohë Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në arrest me burg disa persona të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës. Ata janë: Aleks Memaj, Jovan Memaj, Aleksandër Neço, Shkëlzen Kamberi, Benard Tahiraj, Mereglen Çaçi, Erind Hysomenaj, Klajdi Ademi, Toni Kushi, Erion Hoxhara, Çezar Gjomemo, Sajmir Kurti, drejtor i zyrës së Punës në Kavajës; Malton Lleshi, Shkëlzen Daçi, Eltion Bregasi, Paul (Agustin) Deda, shoqërues i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në vitin 2016; Hekuran Marku, shoqërues i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në vitin 2016; Hamid Seferi, Leonidha Sejdiaj, Ilir Gaba, Geri Zylyftari, Erlind Zylyftari, Artan Zylyftari, Festim Lela, Ish-oficeri i policisë, i proceduar më parë për trafik narkotikësh.

Po ashtu janë sekuestruar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë disa miliona Euro.

Në ndihmë të hetimeve italo-shqiptare janë edhe dëshmitë e 4 bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Operacioni italo-shqiptar është rrjedhë e zhvillimeve hetimore të operacioneve “Shefi” e “Kulmi” ekzekutuar në 2018 e 2020 nga Drejtoria e Antimafias italiane të Barit.

Kreu i Antimafias: Bashkëpunimi Shqipëri-Itali, mur për krimin

Kreu i Antimafias italiane, Federico Cafiero de Raho vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes Italisë dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar në të dyja vendet. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, për operacionin antidrogë “Shpirti” që shkatërroi 4 grupe kriminale, çoi në sekuestrimin e tonelatave drogë e pasurive, Raho u shpreh se bashkëpunimi mes Prokurorisë së Barit dhe SPAK do të jetë një mur për aktivitetin kriminal.

“Dua të përshëndes prokurorin e SPAK, Arben Kraja të cilit i shpreh komplimentet e mia. Operacionet që Prokuroria Speciale po çon përpara prej shumë kohësh tashmë, qëkur Kraja mori drejtimin e kësaj zyre janë tepër të rëndësishme. Dua të nënvizoj që në këtë operacion që ndjek atë të disa muajve më parë, SPAK me Prokurorinë e Barit ka operuar me skuadra hetuese të përbashkëta dhe kjo skuadër ndjek skuadra të tjera hetuese që janë ngritur në kohë. Dua të them se edhe një herë bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Italisë është veçanërisht intensiv, i ngushtë dhe konstant. Prej kohësh jemi të ndërgjegjshëm që mund të bashkëpunojmë së bashku me respektin e raportit të intensitetit të madh që lidh dy zyrat dhe jep mundësinë për të arritur rezultate të jashtëzakonshme.

Sot është pikërisht arritja e një objektivi që tregon sesi bashkë mund të zbulohen edhe aspekte që përfshijnë fatkeqësisht edhe tradhtinë e disa pjesëve të institucioneve me të cilat vendet tona duhet me çdo kusht t’i kushtojnë vëmendje të madhe.

Bashkëpunimi jonë, Shqipëri-Itali, Itali-Shqipëri na jep mundësinë e unifikimit të brendshëm të strukturave që luftojnë krimin e organizuar dhe kjo është themelore që njerëzit të mund të kenë besim tek strukturat përgjegjëse për këtë detyrë delikate.

Prokuroria e Barit po zhvillon disa hetime me bashkëpunimin e SPAK dhe kjo mundëson që e ardhmja të shihet me më shumë besim, mbi të gjitha për qartësinë që organizatat kriminale do të gjejnë në Itali dhe Shqipëri një mur që do të shkatërrojë aktivitetet e tyre nga territoret tona dhe do t’i pengojë për të vepruar në të dyja vendet”.

Drejtuesi i SPAK: 28 urdhërarreste nga operacioni antidrogë, miliona Euro pasuri të konfiskuara. Të përfshirë edhe zyrtarë publikë

Dejtuesi i SPAK, Arben Kraja ka dhënë informacion zyrtar në lidhje me operacionin e organizuar në bashkëpunim mes Shqipërisë, Italisë, Malit të Zi dhe Spanjës.

Kraja tha se operacioni ka qenë i suksesshëm dhe janë ekzekutuar 28 masa sigurie të dhëna nga GJKKO në Shqipëri. Ai u shpreh se është provuar i gjithë zinxhiri i trafikut të drogës ndërkohë që është provuar edhe përfshirja e zyrtarëve të ndryshëm publikë, prokurorë, punonjës policie dhe administratorë të pushtetit lokal.

Kraja tha se janë sekuestruar miliona Euro pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.

“Organizojmë këtë konferencë në kuadër të finalizimit të një operacioni të suksesshëm. Është një skuadër e përbashkët e krijuar prej një viti e gjysmë, kryen hetime të përbashkëta, me shkëmbim informacioni të detajuar dhe të menjëhershëm, e rëndësishëm në grumbullimin e provave dhe në arritjen e konkluzioneve konkrete, ekzekutimi i 28 masave të sigurisë sot të dhënë nga GJKKO. Një moment i rëndësishëm është hetimi i gjithanshëm që është kryer. Është evidentuar dhe provuar i gjithë zinxhiri nga kultivimi dhe prodhimi deri në transportimin dhe tranzitimin në Itali të lëndëve narkotike. Është evidentuar dhe provuar përfshirja e zyrtarëve të ndryshëm publik në këtë lloj aktiviteti duke favorizuar aktivitetin kriminal. Bëhet fjalë për  prokurorë, punonjës policie, administratorë të pushtetit lokal. Janë evidentuar dhe janë sekuestruar pasuri të konsiderueshme të luajtshme dhe të paluajtshme në aktivitete tregtare në vlerë miliona Euro. Gjithashtu një tregues i rëndësishëm që duhet ta vlerësojmë është përdorimi i bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Kanë qenë 4 bashkëpunëtorë të drejtësisë që kanë dhënë kontributin në gjithë këtë hetim. Kemi ngritur edhe akuza për pastrim të produkteve të veprës penale. Para një viti ne ishim në konferencë në Romë, ku sqaruam fazën e parë të këtij operacioni. Në takim kam theksuar një fjalë se do i shkojmë në fund hetimit për të zbuluar se kushdo që është i përfshirë në këtë aktivitet do të përgjigjet penalisht, përfshirë edhe zyrtarë publikë. Jemi në situatë ku e kemi mbajtur premtimin dhe do vazhdojmë në të njëjtën rrugë”, tha Arben Kraja.

Mësohet se si pasojë e operacionit është arresutar prokurori i Vlorës, Maksim Sota. Po ashtu në pranga kanë rënë edhe 5 punonjës policie. Mes tyre është edhe ish-nëndrejtori i Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla, si dhe Festim Lelaj, një ish-oficer policie i arrestuar edhe më herët për trafikim lëndësh narkotike në drejtim të Italisë./tvklan.al