4 viktima dhe 338 të shtruar në 3 spitalet

Kryeqyteti është kthyer në epiqendrën e koronavirusit. Në 24 orët e fundit numri i rasteve të reja është më shumë se dyfishuar.

Nga 396 raste të reja me koronavirus, 278 janë identifikuar vetëm në kryeqytet, ndërkohë që të martën ishin vetëm 125 raste me Covid-19.

Virusi pandemik ka tashme mbi 500 vatra infeksionesh në të gjithë Shqipërinë.

Pas Tiranës, vjen Durrësi me numrin më të lartë të rasteve të reja ditore dhe në total.

Vatra të nxehta të Covid-19 janë edhe Shkodra, Elbasani dhe Korça e Fieri.

Rritja e të infektuarve është pasuar edhe me rritjen e shtrimeve të reja në 3 spitalet Covid. Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht në spital po trajtohen 338 pacientë, 13 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar.

Edhe këtë të mërkurë, infektimi me koronavirus ka qenë fatal për 4 pacientë të cilët e kanë humbur betejën duke e çuar në 536 totalin e viktimave të kësaj pandemie.

105 qytetarë janë shëruar, por në vend janë ende 10.186 të infektuar që nëse nuk izolohen mund të kthehen në burim infektimi për të tjerët.

Epidemiologët apelojnë për përdorim të maskave, ruajtje të distancës dhe  higjienës personale si të vetmet mënyra për t’u mbrojtur nga infektimi.

Tv Klan