Eurogrupi nuk bie dakord për një borxh të përbashkët të BE-së

Pas rreth një jave mosmarrëveshjesh, Ministrat e Financave të vendeve pjesëtare të Eurozonës e gjetën gjuhën e përbashkët për një plan për përballimin e situatës emergjente të krijuar nga koronavirusi. Ata ranë dakord për një paketë shpëtimi prej 500 miliardë eurosh. Kjo paketë do të ofrojë fonde për vendet që do të përballen me vështirësi ekonomike për shkak të pasojave negative që po jep mbyllja e qindra mijëra bizneseve.

Nuk u arrit megjithatë marrëveshja për propozimet mbi të ashtuquajturat “Koronabonde” ose “Eurobonde” të lëshuara vetëm për këtë periudhë krize, si dhe për një borxh të përbashkët mes vendeve të Bashkimit Europian, vetëm për këtë situatë. Në favor të këtyre propozimeve ishin Franca, Italia e Spanja, vendet e goditura më rëndë nga pandemia. Këto propozime hasën në kundërshtimin e fortë të Holandës, çka çoi në dështimin e mbledhjes së të martës.

Mbledhja u drejtua nga kreu i Eurogrupit Mario Centeneo nga Brukseli. Ndërsa ministrat e Financave të vendeve anëtare ishin të lidhur në një videokonferencë. Drejtuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva ka paralajmëruar se për shkak të masave të ashpra kundër koronavirusit, globi rrezikon të përballet me krizën më të rëndë ekonomike pas Depresionit të Madh të viteve 1930.

Tv Klan