Humbin jetën 7 qytetarë të tjerë

Kanë shënuar sërish rritje infektimet ditore me koronavirus në vendin tonë. Në 24 orët e fundit Ministria e Shëndetësisë raportoi se nga 2409 testime të kryera janë konfirmuar 532 raste të reja me Covid-19. Harta e shpërndarjes së infektimeve përfshinë sërish gjithë vendin, por qytetet më të mëdha vijojnë të jenë vatrat kryesore të virusit. Kështu, përveç Tiranës ku janë konfirmuar 191 raste të reja, 42 raste janë zbuluar në Durrës, 32 në Krujë, 31 në Elbasan, 26 në Kurbin, 27 në Shkodër, e për të vazhduar thuajse me gjitha qytetet e tjera të cilat kanë një numër më të vogël të infektimeve.

I lartë vijon të mbetet edhe numri i jetëve të humbura si pasojë e koronavirusit. Në 24 orët e fundit, 7 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin, duke e çuar në 612 numrin total te jetëve të humbura që nga nisja e pandemisë. Dy prej tyre janë nga Kavaja, më i riu është një 58-vjeçar, dy nga Korça, një nga Durrësi, një nga Shkodra dhe një nga Tirana.

Një situatë e vështirë paraqitet në spitalet Covid, ku numri i shtretërve është drejt ezaurimit. Aktualisht në 3 spitalet Covid po trajtohen 389 pacientë, 16 në terapi intensive, nga të cilët 4 të intubuar. Në 24 orët e fundit janë shëruar 100 qytetarë, duke e çuar numrin e personave që e kanë fituar betejën me virusin që nga fillimi i epidemisë në 12,767.

Tv Klan