6 % e të dënuarve në burgjet shqiptare janë të punësuar brenda institucionit ku vuajnë dënimin.

Të dhënat zyrtare të siguruara nga Tv Klan tregojnë se shumica e të punësuarve janë meshkuj dhe shumë pak femra.

Ndër punët më të zakonshme që kryejnë janë ato si sanitarë, lavanderi, berber, apo edhe në ngarkim shkarkim.

Për avokatët, ligji për të drejtat dhe trajnimin e të dënuarve me burgim dhe paraburgim e përcakton qartë marrëdhënien e punës për personat që vuajnë dënimin apo janë në paraburgim.

“Një kategori shumë e rëndësishme për të punësuarit në burgje janë personat që janë të dënuar me vendim të formës së prerë ose të paraburgosur. Të dy palët kanë të drejta të barabarta përsa i takon raporteve të punësimit në raport me institucionin, ku i burgosuri është punëmarrësi dhe burgu është punëdhënësi”, tha Ylli Kameri, avokat.

Punësimi i jep mundësi të burgosurit që jo vetëm të sigurojë të ardhura për vete, por edhe të ndihmojë familjen.

“Ai arrin të menaxhojë deri në 40 % të ardhura nga paga dhe 60% të ardhurave të tjera mund t’i shpenzojë për të mira dhe dobi të familjes së tij ose të krijojë një rezervë kursimi. Po ashtu ky i burgosur përfiton nga skema e sigurimeve shoqërore”, tha avokati.

“Për sociologët, puna e kryer nga personat që vuajnë dënimin në burgjet shqiptare shërben jo vetëm për riintegrimin e tyre në shoqëri, por fitojnë edhe një zanat për të qenë më afër me tregun e punës”, raporton gazetarja Erikleda Dorezi.

“Në radhë të parë i ndihmon ata të kalojën kohën në mënyrë aktive. Një pjesë e tyre edhe nëse më parë nuk i kanë njohur disa profesione, i mësojnë ato dhe u vjen në ndihmë gjatë periudhës që ata dalin nga burgu”, tha Entela Binjaku, sociologe.

Të gjithë ata të dënuar të cilët janë të punësuar brenda ambienteve të burgut kanë kaluar aktin e riskut që përcakton nivelin e rrezikshmërisë, ku një pikë e veçantë është niveli i edukimit, punësimit dhe aftësia për t’u integruar brenda ambientit ku vuan dënimin.

Tv Klan