Lëshohen në orbitë 60 satelitët e projektit Starlink të Elon Musk. Objektivi është të sjellin internet me shpejtësi të lartë në çdo pikë të planetit. Janë pozicionuar në orbitë në lartësinë 440 kilometra dhe ky cilësohet si hapi i parë në të ashtuquajturin revolucion në fushën e internetit të shpejtë në mbarë globin. Kjo pasi ky grup satelitësh do të fluturojnë në një kuotë më të ulët në krahasim me ata satelitë që ndodhen tashmë në orbitë për këtë qëllim dhe do të jenë më të shpejtë në shkëmbimin e informacionit.

Elon Musk mori vitin e kaluar konfirmimin për dërgimin në orbitë të 4425 satelitëve për të krijuar një rrjet komunikimi super të shpejtë nga Federal Communications Commission, që është agjencia qeveritare amerikane përgjegjëse për telekomunikacionet.

Kompletimi i gjithë projektit është parashikuar për në vitin 2027, ndërkohë që bëhet e ditur se që në vitin 2020 pjesa më e madhe e planetit do të mbulohet nga Starlink përsa i përket shërbimit të internetit të shpejtë, duke u bërë kështu edhe një alternative e fibrës optike.

Klan Plus