Të infektuar edhe 3 anëtarë të stafit teknik

7 futbollistë të Kukësit kanë rezultuar me Covid. Të infektuar janë gjithashtu edhe 3 anëtarë të stafit teknik. Klubi i Kukësit ka njoftuar se rastet u zbuluan pas testimeve që u kryen pasi futbolistët u kthyen nga pushimet.

“Pas kthimit të ekipit nga pushimet, ku shumë futbollistë kanë udhëtuar jashtë vendit, klubi është kujdesur që futbollistët dhe stafi teknik, të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të mos rrezikojnë shëndetin e të tjerëve. Në kushte të tilla, klubi ka kryer 3 herë testime të Covid 19 dhe kane rezultuar të prekur 7 futbollistë dhe 3 anëtarë të stafit teknik. Njëkohësisht, janë edhe disa futbollistë të dyshuar duke qenë se jetojnë në një banesë me të prekurit dhe kanë kontakt të vazhdueshëm”, thuhet në komunikatë.

Të prekurit, por edhe të dyshuarit, janë karantinuar në banesat e tyre duke shmangur kontaktin me pjesën tjetër të ekipit megjithatë, të tjera teste do të kryhen ditë pas dite.

Sipas kalendarit, skuadra do të zhvillojë të shtunën ndeshjen ndaj Dinamos, por Kukësi do t’i kërkojë FSHF shtyrjen e saj.

“Klubi i ka kërkuar në rrugë zyrtare në FSHF shtyrjen e ndeshjes ndaj Dinamos, duke qenë se organika e ekipit është e cunguar, por njëkohësisht rrezikohet shëndeti i skuadrës sonë, por edhe ekipit kundërshtar”, thuhet në një njoftim.

Në sezonin 2019-2020 kur u zbuluan rastet e para me Covid-19 në vend futbolli u ndal për disa muaj. Tashmë do të jetë në dorë të sektorit të garave në Federatë të vlerësojë rastin e parë për këtë vit të shtyrjes së një takimi të Superligës për shkak të Covid.

Protokolli shqiptar nuk ka të përcaktuar numër lojtarësh të infektuar për të mos zhvilluar një ndeshje. Citohet vetëm që personat e infektuar duhet të izolohen deri në kryerjen e një testi negativ.

Autoritetet shëndetësore kanë lejuar zhvillimin e ndeshjeve të futbollit në Shqipëri me një prani deri në 30% të kapacitetit të stadiumeve. /tvklan.al