Përvjetori i madh i Formula 1 “festohet” me motorë të fikur nga korona

Duhej të ishte një edicion historik, por fati ishte në krahun e kundërt. Sezoni i këtij viti në Formula 1 ishte i 70 në histori, por ende nuk e ka zhvilluar garën e saj të parë për shkak të pandemisë së Covid-19, duke e vënë në dyshim mbarëvajtjen e saj. Deri më tani janë pezulluar ose anuluar 10 Çmime të Mëdha nga 23 në total. Por si lindi kompeticioni më i rëndësishëm i automobilizmit?

Personi që e shpiku mbetet ende anonim, edhe pse kreditet e atij që dha idenë për formimin e një botërori të njohur nga të gjithë si Formula 1 i ka marrë përfaqësuesi i Italisë në FIA në vitin 1946, Marquis Antonio Brivio-Sforza. Italiani është një ndër pilotët e parë që garoi në Formula 1, madje arriti të renditet në vendin e tretë në Monako 1935 dhe Nurburgring një vit më vonë. Emri Formula 1 u vendos po në këtë vit, pas një mbledhje maratonë të komisionit sportiv internacional.

Propozimi i parë ishte që turneu të njihej me emrin Formula Internatinale, por disa të tjerë dolën kundër, për ta pagëzuar si Formula A. Gjithsesi në fund u mor vendimi që të quhej Formula 1, emër më i përafërt me Formulën kryesore. Skuteritë e para që morën pjesë janë Alfa Romeo, Mercedes dhe Auto Union.

Në kampionatin e parë u zhvilluan 7 gara, të mbajtura në Britani, Monako, Amerikë, Zvicër, Belgjikë, Francë dhe Itali. Gara e parë u mbajt më 13 Maj 1950 në pistën e njohur të Silverstone në Britani.  Piloti që grumbullonte më shumë pikë shpallej kampion, ndërsa titulli për konstruktor nisi të jepej pas vitit 1958. Kampioni i parë i Formula 1 është Giusepe Farina, i cili arriti të ngre lart trofeun pas një gare emocionuese në Monza.

Ndryshe nga edicionet e fundit, ku vendi i parë merr 25 pikë, fituesi i sezonit të parë të Formula 1 merrte 8 pikë si dhe një çek prej 455 dollarësh, vendi i dytë 6 pikë, 4 pikë shkonin për vendin e tretë, teksa dhurohej një pikë shtesë për pilotin më xhiron më të shpejtë. Tashmë, Formula 1 është kthyer në një industri të mirëfilltë dhe një histori e vërtetë suksesi.

Klan Plus